Ballina Politika Mandatet e gjyqtarëve/ Konflikt interesi dhe luftë brrylash, Gjykata Kushtetuese fut veten...

Mandatet e gjyqtarëve/ Konflikt interesi dhe luftë brrylash, Gjykata Kushtetuese fut veten në kolaps

27
0

Një kërkesë, në dukje naive e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për interpretimin e kohëzgjatjes së mandateve të Gjykatës Kushtetuese, fshihte qëllimin për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të anëtares së asaj gjykate, Sonila Bejtja.

Por, ajo që prodhoi vetë Gjykata Kushtetuese për t’i plotësuar “dëshirën” kreut të Shtetit, është një kaos i plotë në mandatet, të cilat brenda një kohe të shkurtër do ta vendosin në kolaps institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur këtë javë vendimin e marrë në 16 Tetor 2025. Më herët, “Boldnews.al” e konsideroi atë vendim një “harakiri” të vërtetë të gjyqtarëve kushtetues, të cilët, për të ndërprerë 3 vjet para kohe mandatin e gjyqtares Bejtja, i hoqën edhe veten nga 1 deri në 3 vjet.

Për të shpëtuar sa të munden mandatet e tyre, shumica e trupës kushtetuese, ka ndërmarrë një manovër, e cila është më e pakta të konsiderohet si konflikt i pastër interesi dhe, me shumë mundësi, në limitet e shkeljes penale.

Disa janë “më të barabartë se të tjerët”

Në janar të vitit 2025, President Begaj ishte i paqartë për kohën që duhet të qëndronin në detyrë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi nga kjo e fundit intepretimin e afateve.

Mbi këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, miratoi vendimin nr.60/2025, ku, ndër të tjera, dha intepretim: “Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson”.

Në mënyrë më të thjeshtuar, fillimi i mandatit të gjyqtarëve në detyrë nuk do të llogaritej nga momenti i emërimit dhe betimit të tyre, por nga momenti kur gjyqtari paraardhës i tyre kishte përfunduar mandatin.

Kjo skemë prekte të gjithë gjyqtarët në detyrë, pasi, thuajse të gjithë ishin emëruar në detyrë shumë kohë pas mbarimit të mandatit të paraardhësve të tyre.

Por, si tek “Ferma e Kafshëve” e Xhorxh Oruellit, disa gjyqtarë treguan se janë “më të barabartë se të tjerët”.

Manovra

Gjykata Kushtetuese e miratoi vendimin me votat e pesë anëtarëve; Fiona Papajorgji, e cila aktualisht është kryetare, Ilir Toska, Sandër Beci, Marsida Xhaferllari dhe Marjana Semini.

Në vendimin e zbardhur tre muaj pas miratimit, “Boldneës.al” konstatoi një manovër, sa të trashë, aq edhe flagrante.

Shumica e Gjykatës Kushtetuese ka dhënë intepretimin vetëm për mandatet e dy gjyqtareve; Elsa Toska, e cila ka dhënë dorëheqjen në vitin 2024 dhe anëtares në detyrë, Sonila Bejtja.

Dy gjyqtaret janë zgjedhur në detyrë, përkatësisht në vitin 2019 dhe 2020, për një mandat të plotë 9-vjeçar, respektivisht nga Kuvendi dhe Presidenti. Mandati i tyre i rregullt përfundonte në vitin 2028.

Por, sipas intepretimit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtareve Toska e Bejtja iu llogarit nisja e mandatit 9-vjeçar në vitin 2016, kohë kur u ka përfunduar mandati i rregullt paraardhësve të tyre në detyrë.

Image

 

Deri në këtë pikë, interpretimi, pavarësisht se është i diskutueshëm, është zbatuar. Por, shumica që ka miratuar këtë vendim, ka bërë një “manovër” të pabesueshme. Në vendimin e arsyetuar, ata nuk kanë intepretuar kohëzgjatjen e mandatit të asnjërit prej tyre.

Pra, megjithëse vendimi përfshinte të gjithë mandatet, pesë anëtarët e shumicës kanë preferuar që të arsyetojnë dhe, rrjedhimisht, të ndërpresin, mandatet e vetëm dy gjyqtareve të tjera.

Konflikt interesi

E gjithë situata duket një histori e trashë konflikti interesi, por që merr përmasa të rënda, kur kjo konsumohet nga Gjykata Kushtetuese.

Standardet e dyfishta dhe ekzistencën e situatës së plotë të konfliktit të interesit e kanë konstatuar gjyqtarët që kanë dalë në pakicë në këtë vendim.

Treshja e përbërë nga Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi, kanë mbajtur qëndrimin se kërkesa e Presidentit për interpretimin e kohëzgjatjes së mandave nuk duhej pranuar, pasi Kushtetuta është shumë e qartë mbi këtë aspekt.

Megjithatë, pasi janë njohur me qëndrimin e shumicës, gjyqtarët në pakicë kanë vlerësuar se “kanë shënjuar kështu një standard të dyfishtë në trajtim”.

Shkurtimi i mandateve

Pavarësisht se gjyqtarët e shumicës në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë intepretuar aplikimin e të njëjtin standard, me të cilin ndërprenë mandatet e dy kolegeve të tyre, anëtarët e pakicës i kanë bërë të qarta efektet që ky vendim do të ketë mbi të gjithë trupën gjyqësore.

Llogaritë janë shumë të thjeshta. Të gjithë gjyqtarët, edhe ata që kanë tentuar të shpëtojnë mandatet e tyre, do të kenë tashmë mandate të reduktuara, siç citohet edhe në qëndrimin e pakicës.

Image

– Gjyqtara Marsida Xhaferllari, me mandat deri në vitin 2028, tashmë, sipas interpretimit të shumicës ku ajo vetë është pjesë, i përfundon mandati në vitin 2027;

– Gjyqtarja Fiona Papajorgji, me mandat deri në vitin 2028, me interpretimin e miratuar prej saj, mandati i zvogëlohet me një vit dhe i përfundon në vitin 2027;

– Gjyqtari Ilir Toska, i emëruar për një mandat 9-vjeçar, deri në vitin 2031, tashmë, sipas interpretimit të miratuar prej tij, duhet të qëndrojë në detyrë tre vjet më pak, deri në vitin 2028.

– Gjyqtarja Marjana Semini, sipas interpretimit të miratuar prej saj, i reduktohet mandati i rregullt me disa muaj dhe përfundon në fillim të vitit 2031.

– Po ashtu, edhe gjyqtarit Gent Ibrahimi, i reduktohet mandati me disa muaj.

– Mandati i vetëm që nuk preket nga ky vendim është ai i gjyqtarit Sandër Beci, pasi pozicioni i tij është përcaktuar në Kushtetutë që është i pjesshëm, vetëm 6 vjet dhe përfundon në vitin 2028.

Kolapsi i pritshëm

Kërkesa fillestare e Presidentit të Republikës synonte, sipas tij, të qartësonte kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Por, vendimmarrja e kësaj gjykate, jo vetëm që nuk sqaroi asgjë, por krijoi premisat për një kolaps kushtetues në një kohë shumë të shpejtë.

Gjyqtarët e pakicës kanë parashikuar një skenar aspak pozitiv.

“Kjo qasje e shumicës, jo vetëm nuk ka dashur të arsyetojë efektet dhe pasojat e këtij interpretimi edhe mbi mandatet e secilit prej anëtarëve të saj, …., por do të shkaktojë në vijim paqartësi dhe një ngërç kushtetues, si për Gjykatën ashtu edhe për vetë organet e emërtesës, në këndvështrim të momentit në të cilin do të duhet të fillojë procedura për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve në detyrë, i cili, referuar dispozitivit të vendimit të shumicës, është një moment tërësisht i ndryshëm nga ai që ajo ka përcaktuar në arsyetimin e vendimit të saj”.

Pasojat e kësaj vendimmarrje pritet t’i japin efektet kolapsuese jo më larg se viti 2027, kur institucionet e emërtesës, Presidenca, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, do të kërkojnë “të drejtën e tyre” për të emëruar gjyqtarët e rinj kushtetues, referuar vendimit të vetë Gjykatës Kushtetuese./Nga BoldNews