Deklarata zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal Durrës ka thelluar edhe më tej skandalin, duke ekspozuar publikisht një dështim të rëndë institucional dhe mungesë alarmante bashkëpunimi mes strukturave shtetërore.
Nga vetë deklarata pranohet se IEVP Durrës nuk ka informuar as Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe as Komisariatin e Policisë Durrës për shoqërimin e një prej personave më të rrezikshëm në sistem, i akuzuar për vrasje të shumëfishtë, organizatë kriminale dhe armëmbajtje pa leje.
Një fakt tronditës, që tregon se procedurat bazë të sigurisë janë shkelur hapur.
Më shqetësuese akoma është se shoqërimi i Altin Ndocit drejt spitalit është kryer pa njoftim, pa koordinim dhe në kundërshtim me aktet nënligjore, ndërkohë që vetë Drejtoria e Burgjeve e pranon këtë shkelje vetëm pasi ngjarja ka ndodhur dhe i paraburgosuri është arratisur.
Në vend që deklarata të ofronte qartësi dhe përgjegjësi në nivelet e larta drejtuese, ajo duket se shkarkon fajin në zinxhir, duke pezulluar dhe ndaluar një numër të madh punonjësish.
Më poshtë po përcjellim deklaratën e plotë të Drejtorisë së Burgjeve.
DEKLARATË PËR SHTYP
DATË: 14.01.2026
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Spitalin Rajonal Durrës, më datë 13.01.2026, ku është arratisur i paraburgosuri Altin Ndoci, sqarojmë sa vijon:
Shtetasi Altin Ndoci ka qenë i akomoduar në IEVP Durrës që prej datës 20.05.2020, me masë sigurimi “arrest me burg”. Me vendimet Nr. 82, datë 21.07.2020; Nr. 42, datë 17.05.2022; dhe Nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest me burg” për veprat penale: vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje, organizatë kriminale, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/1, 28/1, 28/4, 333 dhe 334 të Kodit Penal.
Më datë 13.01.2026, i paraburgosuri ka kryer konsultë mjekësore me mjekun e institucionit të vuajtjes së dënimit, i cili ka rekomanduar konsultë me mjek kirurg. Në vijim, nga strukturat përkatëse të IEVP Durrës (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor) janë hartuar aktet përkatëse dhe është planifikuar shoqërimi për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, sipas itinerarit: IEVP Durrës – Spital Rajonal Durrës – kthim në IEVP, brenda së njëjtës ditë.
I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset.
Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.
Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht:
• z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
• z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
• z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
• znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
• z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
• z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, është vendosur ndalimi i shtetasve të mëposhtëm:
• Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
• Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon me marrjen e të gjitha masave të nevojshme ligjore dhe administrative, si dhe me forcimin e protokolleve të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.







