Viti 2025 është zyrtarisht viti i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus i Bashkimit Europian konfirmoi se planeti ynë po kalon periudhën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve, duke shënuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e njerëzimit.
Viti që sapo lamë pas nuk ishte thjesht një tjetër numër në kalendar. Por për shkencëtarët e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të Bashkimit Europian, 2025-a u konfirmua si viti i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në histori.
“Të dhënat që kemi tregojnë se viti 2025 ka qenë një nga tre vitet më të nxehta të regjistruara, në veçanti i treti më i ngrohtë, duke u renditur pas vitit 2023 dhe vitit 2024 me vetëm 0.01 gradë Celsius më pak”, tha Carlo Buontempo, drejtori i Copernicus.
Sipas shkencëtarëve, për herë të parë bota ka përjetuar një periudhë trevjeçare ku temperatura mesatare ishte vazhdimisht 1.5°C mbi nivelet e epokës paraindustriale, duke iu afruar kështu pragut kritik 1.5°C të vendosur nga Marrëveshja e Parisit.
Megjithëse ky prag matet si mesatare 20-vjeçare, sipas drejtorit të Copernicus, Carlo Buontempo, qëndrimi për tre vite radhazi mbi këtë limit rrit rrezikun për goditje të pakthyeshme klimatike, si stuhitë më të fuqishme, përmbytjet katastrofike dhe valët e të nxehtit që zgjasin me javë. Ndaj, arma që kemi në dorë ndaj ndryshimeve të klimës, sipas tij, është ulja e emetimeve nga djegia e naftës, qymyrit dhe gazit.
“Ne kemi njohuritë, kemi të dhënat që përshkruajnë klimën dhe kjo duhet të jetë udhërrëfyesi për veprimin tonë. Pra, nëse qëllimi ynë është të kufizojmë rritjen e temperaturës, atëherë e dimë se mjeti më i mirë në dispozicion është ulja e emetimeve. Dhe sa më shpejt t’i ulim emetimet, aq më shumë mund ta zbusim rrezikun që lidhet me temperaturat e larta”, shtoi ai.
Sipas tij, ndryshimet e klimës janë një shqetësim global dhe zgjidhja duhet të jetë globale, duke iu referuar kështu një marrëveshjeje shumëpalëshe detyruese mbi emetimet.
Në Shqipëri, ky “kamxhik klimatik” u ndje në çdo qelizë të vitit 2025, por fatkeqësisht edhe në janar të vitit 2026, i cili nisi me përmbytje shkatërruese në shumë qarqe të vendit.
Edhe për Shqipërinë, 2025 u klasifikua si një nga vitet më të nxehta, duke u renditur me një diferencë të vogël nga viti 2024 dhe ai 2023. Vera e vitit që sapo lamë pas la pasoja shumë të mëdha në bujqësi, nga thatësirat, por edhe nga zjarret e shumta, të cilat shkrumbuan mbi 60 mijë hektarë pyje.
Shqipëria klasifikohet nga shumë studime si një nga vendet më të prekura nga ndikimet klimatike në Europë. Sipas raportit të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për vitin 2025, tregohet se temperatura mesatare vjetore në Shqipëri do të rritet deri në 2.2°C brenda vitit 2050 dhe deri në 4.4°C brenda vitit 2100, duke rritur rrezikun në shumë sektorë, bujqësi, infrastrukturë, por edhe shëndetin e popullsisë.
Sipas raportit, projeksionet për deltën e lumenjve Drin – Mat tregojnë se brenda vitit 2100, niveli i detit mund të rritet deri në 60 cm, ndërsa për basenin e Vjosës rritja mund të arrijë deri në 105 cm, duke sjellë dëme në infrastrukturë. Ndërsa në bujqësi pritet ndikim edhe duke reduktuar kulturat bujqësore. Në zonat fushore parashikohet që rendimenti i misrit të ulet me 17%, rendimenti i domateve dhe shalqirit të bjerë me 6 – 11%, rendimenti i rrushit me 17 – 23%, ndërsa rendimenti i ullinjve me 11 – 20%.
Shifrat globale tashmë flasin qartë. Pyetja që mbetet për vitin 2026 nuk është nëse do të jetë më i nxehtë, por nëse ne do të jemi më të përgatitur për ta ndalur këtë vrapim drejt greminës klimatike.







