Ballina Politika Si digjet, përmbytet dhe vidhet Shqipëria ‘pas krahëve’ të Ramës

Si digjet, përmbytet dhe vidhet Shqipëria ‘pas krahëve’ të Ramës

24
0

Java që lamë pas ishte një tjetër provë e trishtë se sa i brishtë është ky vend dhe sa pak e mban shtetin në këmbë qeverisja e Ramës. Përmbytjet përfshirën shtëpi, biznese dhe rrugë, duke e kthyer Durrësin në një mini-Venecia të padëshiruar, ku mbi 80% e pjesës urbane u zhyt nën ujë. Fatkeqësisht, përveç dëmeve materiale, u shënua edhe një viktimë 54-vjeçarin Astrit Hysenaj, i cili humbi jetën tragjikisht teksa pastronte kanalet kulluese.

ImageNdërsa qytetarët përpiqeshin të shpëtonin atë pak pasuri që kishin, kryeministri Edi Rama nuk zgjodhi terrenin e përmbytur, por rrjetet sociale si vendin ideal për të dhënë verdiktin e tij. Duke u ngritur mbi realitetin që çdokush mund ta shihte me sy të lirë, Rama deklaroi se faji ishte i qytetarëve, sepse ata hedhin mbeturina, bllokojnë pusetat dhe çuditërisht nuk e bëjnë punën që duhet ta bëjnë institucionet shtetërore. Pra, në një vend ku qytetari paguan taksa për shërbime, sipas logjikës së qeverisë, qytetari është fajtor se ato shërbime nuk funksionojnë.

Por përmbytjet nuk ndodhën sepse Shqipëria është “vend i mallkuar”, as sepse reshjet ishin të jashtëzakonshme. U raportua se zona e Spitallës dhe ish-Kënetës u mbytën sepse dy kanalet kryesore të kullimit nuk funksionuan dhe sepse hidrovorët janë vendosur në kuotë të lartë, duke penguar thithjen e ujërave.

Kur nuk mbytemi, digjemi

ImageNë verën 2025, flakët përfshinë zona të tëra të vendit dhe u regjistrua një viktimë në Gramsh. Edhe atëherë, kryeministri Rama gjeti shpjegimin e gatshëm: qytetarët ndezin zjarre, fshatrat janë fajtorë, njerëzit janë të pakujdesshëm. Sërish, sipas tij, “fati i keq” dhe populli janë burimi i çdo katastrofe.

Por gjatë muajve të flakëve, dallimi mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit dhe Europës ishte i dhimbshëm: ndërsa fqinjët kishin helikopterë, avionë me ujë dhe teknologji moderne në terren, Shqipëria lutej për ndërhyrjen e tyre. Situata zbërtheu haptazi faktin se vendi nuk zotëron asnjë mjet ajror zjarrfikës, dhe se zjarrfikësit përballen pa mjete mbrojtëse, pa pajisje dhe pa buxhet.

Në një vend që digjet dhe mbytet çdo sezon, mrekullitë pritet t’i prodhojë natyra, jo institucionet. Në Buxhetin e vitit 2026, fondet për ushtrinë dhe strukturat e luftës rriten me 12%, ndërsa Emergjencat Civile  ulen nga 5.4 miliardë lekë në 5.2 miliardë. Shteti investon për luftë, ndërsa zjarret dhe përmbytjet në dorë të zotit.

Rama nuk është kurrë fajtor

Pas çdo skandali lideri jonë del gjithmonë i larë, faji nuk i takon asnjëherë atij. Që nga viti 2013 e deri më sot, Rama ka përsosur një stil qeverisjeje ku ai figuron në krye, por asnjë përgjegjësi nuk i takon. Lista e “nuk e dija” është bërë slogani kryesor i kësaj dekade.

Shqipëria u kanabizua në vitin 2016? Rama nuk dinte gjë. Inceneratorët u paguan me miliona dhe nuk funksionuan? Prapë nuk dinte gjë. Sterilizimi i pajisjeve mjekësore me çmim qindra herë më të shtrenjtë? Asnjë dijeni. Veliaj merr miliona euro, vila dhe tendera? Rastësisht nuk ka qenë në dijeni. Balluku paracakton tendera miliardash? Asgjë nuk është raportuar tek Rama.
Shërbimet zjarrfikëse nuk kanë mjete? Përsëri populli dhe fati janë fajtorë.

Në këtë logjikë të çuditshme, kryeministri drejton vendin dhe krekoset për çdo arritje por nuk mban përgjegjësi për asnjë dështim të tij.

Disa nga aferat që kanë marrë në qafë shtetin:

Belinda Balluku, zv.kryeministrja e akuzave që Rama nuk lejon të preken

ImageBelinda Balluku, zëvendëskryeministrja dhe një nga figurat më të afërta politike të Edi Ramës, akuzohet nga SPAK se ka paracaktuar fituesit e tenderit të Tunelit të Llogarasë, një projekt rreth 190 milionë euro, si edhe se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procese të tjera infrastrukturore, ku fitonin gjithmonë kompanitë e “rrethit të ngushtë”. Ndërkohë që SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, kryeministri Rama jo vetëm që nuk ka bërë thirrje për dorëheqje, por publikisht ka lënë të kuptohet se do të pengojë arrestimin duke akuzuar SPAK se po e tejkalon mandatin kushtetues. Në vend që të distancohej, Rama është shfaqur krah saj në aktivitete zyrtare, duke e relativizuar akuzën sikur bëhet fjalë për një “çështje teknike” e jo për një aferë qindramilionëshe me fonde publike.

AKSHI, kopshti privat i Ramës

ImageNjë tjetër skandal që lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin, por ku ai përpiqet të fshihet pas gishtit, është ai i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, më e njohur si AKSHI. Kjo agjenci, që kontrollon të gjitha sistemet dixhitale të shtetit  nga kartat e identitetit dhe portalet e shërbimeve online, deri te databazat e të dhënave të qytetarëve  u kthye pas vitit 2017 në një strukturë që varej personalisht nga Edi Rama. Drejtoresha Mirlinda Karçanaj, dikur zyrtare në Bashkinë e Tiranës, u ngrit në postet më të larta pikërisht nën patronazhin e tij, ndërsa buxheti i AKSHI-t u katapultua nga 5 milionë euro në 189 milionë euro brenda pak vitesh.

SPAK sot e akuzon këtë agjenci dhe drejtuesit e saj për tendera të parapërcaktuar, fryrje çmimesh, skema me kompani të lidhura dhe përfitime të dyshuara që shkojnë në dhjetëra miliona euro. “Dixhitalizimi” që u premtua si mjet kundër korrupsionit, në fakt u kthye në një mënyrë të sofistikuar për të zhdukur fonde publike me laps dhe kabllo.

Erion Veliaj dhe vila, OJF, tendera dhe miliona euro

ImageKryebashkiaku i Tiranës, i konsideruar për vite me radhë si njeriu që do trashëgonte Ramën, rezulton të jetë simboli i asaj çfarë është quajtur “kapja e pushtetit vendor me biznes”. Veliaj akuzohet për korrupsion në nëntë raste, për pastrim parash dhe për fshehje pasurie përmes OJF-ve, kompanive të afërmve dhe tenderëve të dhënë në këmbim të investimeve private. SPAK thotë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar të paktën 1.1 milionë euro dhe vila në bregdet, ndërsa Veliaj pretendon pafajësi nga qelia.

Inceneratorët, simboli i korrupsionit të shekullit

ImageNjë skandal që ka zgjatur më shumë se një dekadë. Ish-ministri i mjedisit Lefter Koka u arrestua e më pas u dënua për abuzim me mijëra euro në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është arratisur jashtë vendit, pasi ndaj tij janë lëshuar akuza serioze për korrupsion, pastrim parash dhe përdorim të pushtetit për pasuri private. Për ironi, inceneratorët të cilët paguhen ende me miliona, nuk funksionojnë.

Sterilizimi i shëndetësisë dhe rrethimi me publik të miliona eurove

ImageShëndetësia shqiptare u përfol për një tjetër aferë të kushtueshme, ku ish-ministri Ilir Beqaj u akuzua për ngritjen e një skeme fitimi personal përmes sterilizimit të pajisjeve mjekësore të paguara me çmime të shumëfishuara. Teoria e “modernizimit” i kushtoi buxhetit publik miliona euro, të cilat duket se shkuan më shumë për të pasuruar kompani sesa për të mbrojtur pacientët.

Rasti Xhaçka dhe IPARD-i 

ImageOlta Xhaçka u përfshi në një konflikt të hapur interesi kur bashkëshorti i saj u bë investitor strategjik në një zonë bregdetare, nën udhëheqjen e ministres së jashtme. Ndërkohë fondet IPARD të Bashkimit Europian u pezulluan gjatë drejtimit të ministrisë së bujqësisë nga Frida Krifca për shkak të dyshimeve për abuzim me paratë e fermerëve shqiptarë.

Kanabizimi i vitit 2016 

ImageMinistri i Brendshëm i Ramës, Saimir Tahiri, u akuzua se toleroi dhe mbështeti kultivimin masiv të kanabisit të lidhur me grupin kriminal Habilaj. Në vitin 2016, zona të tëra të vendit u kthyen në plantacione narkotikësh, ndërsa Tahiri u mor i pandehur dhe u dënua për shpërdorim detyre. Kjo ngjarje turpëroi publikisht shtetin shqiptar dhe e ekspozoi atë si një partner të pasigurt ndërkombëtar në luftën kundër drogës./Boldnews.al