Ballina Sport Carvajal shpërthen pas turpit të Real Madridit

Carvajal shpërthen pas turpit të Real Madridit

40
0

Kapiteni i Real Madridit, Dani Carvajal, ka reaguar me tone të forta pas eliminimit befasues të “Los Blancos” nga Kupa e Mbretit, pas humbjes 3-2 ndaj Albacetes, ekip i kategorisë së dytë spanjolle.

Madrilenët arritën dy herë ta rikthenin rezultatin në barazim përmes goditjeve standarde, por pësuan golin vendimtar në minutat e fundit të ndeshjes, me autor Jefte Betancour, duke u përshëndetur herët me kompeticionin.

Pas ndeshjes, Carvajal pranoi se skuadra po kalon një moment shumë të vështirë dhe mori mbi vete përgjegjësinë për këtë dështim.

“Kjo është një nga pikat më të ulëta që kemi përjetuar. Duhet të jemi realistë edhe kur humbasim. Në fund, përgjegjësia bie mbi ne, lojtarët,” u shpreh mbrojtësi spanjoll.

I pyetur për shkaqet e humbjes, kapiteni i Realit pranoi se ekipi nuk arriti të gjente zgjidhje në fushë.

“Nëse do ta dinim çfarë na mungoi, nuk do të ishim eliminuar. Është e qartë: u mundëm nga një skuadër e kategorisë së dytë dhe kjo është e papranueshme. Urime Albacetes,” shtoi ai.

Megjithatë, Carvajal theksoi se skuadra duhet të reagojë menjëherë dhe të shikojë përpara.

“Që nga nesër fillon vetëkritika. Na presin ende dy gara shumë të rëndësishme dhe do të luftojmë deri në fund për objektivat tanë.”

Në fund, ai iu drejtua edhe tifozëve të Real Madridit me një mesazh ndjese, duke pranuar se pritshmëritë nuk po përmbushen.

“Skuadra nuk është në formën e saj më të mirë. Duhet të punojmë më shumë dhe të japim shumë më tepër. U kërkojmë falje tifozëve tanë dhe premtojmë se do të japim gjithçka për ta përmirësuar situatën në muajt në vijim.” .