Nga Shefqet Dibrani
Motivi i “Mollës së Kuqe” përbën një nga nyjet më të dhimbshme semantike në poezinë e Dashnim Hebibit, sepse ky poet ka arritur të bashkojë legjendën historike të spastrimit etnik nga Sanxhaku i Nishit, me fatin e tanishëm të shpërguljes nga vendlindjet arbërore. “Edhe nga Molla e Kuqe, afër Nishit,/ do të shkruajë historia/…/ ku kaloi ushtria e Kastriotit…/ Lugina ndan dhimbjen – si gjithë shqiptaria.”, (nga elegjia kushtuar, Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani, f.100-103).
Toposin (territori) e kthyer në akt poetik e ndeshim rrallë në poeznë e sotme shqipe. Në letërsinë gojore kemi mjaftë, por si letësi artistike më pak. Në poezinë e sotme shqipe, përmes poetit Dashnim Hebibi, kjo kujtesë për ato vende dhe territore rikthehet në vetëdijen njerëzore si kujtesë dhe plagë që kullon dhimbje edhe brenda vargut poetik. Në librin “Të shtënat e kohës”, motivi “Molla e Kuqe”, (f.25-27), nuk shfaqet vetëm si mit folklorik i largët, por si hapësirë e tanishme, si dhunë historike dhe braktisje reale, e lidhur drejtpërdrejt me fatin e tanishëm të Preshevës dhe tërë Luginës, në Kosovën Lindore.
Tashmë dihet se traditën gojore shqiptare, “Molla e Kuqe”, (f.73-74), është përmendur, kryesisht si kufi simbolik i shtrirjes së fshatrave shqiptare në thellësitë e Sanxhakut të Nishit, atje nga ku shqiptarët u zhdukën me dhunë, duke lënë pas tokë pa emra dhe varre pa zë. Kjo legjendë, që shtrihet “deri në thellësi të Serbisë”, nuk është romantike, por një tragjedi mjaftë e njohur. Ajo përfaqëson procesin e sistemuar të spastrimit etnik, ku fshatra të tëra u shuan nga harta dhe nga kujtesa zyrtare.
Në poezinë tjetër, “Toka e Mollës së Kuqe është e jona”, (f.97), poeti Dashnim Hebibi e thyen heshtjen historike përmes një vargu deklarativ, pothuajse testament. Pohimi “është e jona” nuk synon provokim politik, por rikthim etik të së drejtës së kujtesës. Poeti nuk kërkon tokën si pronë, por si hapësirë identitare, ku janë ngjizur gjuhë, gjak dhe histori, atje ku janë prindërit e tij, ku janë familjarët në Preshevë dhe përgjatë tërë Luginës. Në këto poezi, toka përshkruhet si “gur i kujtesës”, (f.37 dhe f.97 ), dhe “gur i mëngjesit”, (f.97), janë metaforë që bashkon të kaluarën e përgjakur me shpresën e vazhdimësisë. Guri nuk është vetëm mbetje, por dëshmitar i heshtur. Ai mban peshën e historisë, ashtu siç mban poezia peshën e së vërtetës.
Poeti Dashnim Hebibi nuk e trajton “Mollën e Kuqe” si një vend të largët mitik, por si plagë që vazhdon të dhembë në të tashmen. Pikërisht këtu lind lidhja organike e poetit me vendlindjen – Preshevën dhe Luginën, tokë në Kosovën Lindore. Në disa poezi të librit, poeti e lexon tokën, e dëgjon atë të flasë, duke e shndërruar hapësirën në subjekt moral: Toka është ajo që mban mend kur njerëzit detyrohen të harrojnë. Ajo që tërheq vëmendje është Presheva, e cila në poezinë e Dashnim Hebibit, shfaqet si trashëgimtare historike e toposit “Molla e Kuqe”. Presheva në të sotmen, është hapësirë e rrezikuar, tokë e mbajtur gjallë nga njerëzit e saj dhe nga fjala shqipe që kultivohet atje. Në poezinë “Fryma e Luginës së Preshevës”, (f.98), identiteti ndërtohet si frymëmarrje kolektive, ku poeti e vendos veten mes kufijve politikë, por përtej tyre në plan shpirtëror: sytë kah Kosova, zemra në Shqipëri, shpirti në Luginë. Kjo hartë poetike e qenies shqiptare e bën të qartë se “Molla e Kuqe” nuk është vetëm një pikë gjeografike e humbur, por model i një fati që rrezikon të përsëritet.
Në këtë kuptim, Presheva bëhet një “Mollë e Kuqe e re”, jo sepse është zhdukur, por sepse është e rrethuar nga mekanizma të ngjashëm të presionit, heshtjes dhe shpërnguljes. Poezia e Dashnim Hebibit e denoncon këtë realitet pa patos të tepruar. Vargu është i zhveshur, i drejtë, sepse poeti e di se dhimbja nuk ka nevojë për zbukurim. Kurse në plan estetik, poeti Dashnim Hebibi e çliron motivin e “Mollës së Kuqe” nga folklorizmi dekorativ. Ai nuk e përdor si relike kulturore, por si strukturë mendimi dhe ndërgjegjeje. Poezia këtu funksionon si akt dëshmie, si dokument moral. Fjalë bëhet për përgjegjësi kolektive, të mos braktiset Lugina dhe të mos lejosh që historia të mbyllet me harresë.
Në fund, “Molla e Kuqe” në vëllimin poetik “Të shtënat e kohës” nga Dashnim Hebibi shndërrohet në simbol të qëndresës përmes kujtesës. Ajo nuk kërkon hakmarrje, por njohje. Nuk kërkon mitizim, por drejtësi historike. Duke e lidhur këtë motiv me Preshevën dhe Luginën, poeti Dashnim Hebibi krijon një vazhdimësi të qartë poetike, ajo që ndodhi dje në thellësi të Atdheut, nuk duhet të ndodhë sot në Luginën e Preshevës. Kështu, “Molla e Kuqe” mbetet jo vetëm legjendë, por alarm poetik. Një thirrje që vjen nga thellësia e historisë për të ruajtur emrat, tokat dhe zërat që dhuna ka tentuar t’i zhdukë. Dhe pikërisht këtu, poezia e Dashnim Hebibit fiton peshën e saj më të madhe, qoftë si kujtesë që nuk dorëzohet e qoftë si motiv poetik i jashtëzakonshëm!…







