Ballina Dossier “Më 21 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjës...

“Më 21 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Korçës, ku midis 50 përfaqësuesve ai…”/ Historia e trishtë e ish-Kryeministrit, që vdiq në burgun e Burrelit

27
0

Nga Harallamb Kota

Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arsimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I ati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë.

Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arsimin fillor në Korçë, arsimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arsimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike.

Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat qendrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.

Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911, u largua nga Athina dhe u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA-ës, u anëtarësua në shoqërinë e emigrantëve shqiptarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj.

Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. “Vatra” ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më jetëgjata në Diasporën Shqiptare.

Më 1912 Federata “Vatra” e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqësuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëntor 1912, shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arsimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi.

Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arsimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave. Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar.

Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arsimit, e cila drejtohej nga Dr. Turtulli Ministër Arsimi në qeverinë e Turhan Pashës. Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat, ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.

Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, së bashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë. Më 27 janar 1916, u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austro-hungarezëve.

Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arsimi në Drejtorinë Arsimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austro-hungareze u larguan nga Shqipëria dhe në territorin shqiptar u vendos ushtria italiane.

Luigj Gurakuqi, ministri i Arsimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n “Inspektor Arsimi” pranë Prefekturës Berat. Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N. Kotta. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar.

Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arsimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekuran be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit “Bashkim”, Fevzi Ruli – Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka – direktori Arsimit, Adem Shehu -sekretari i Arsimit, Islam be Vrioni – Notabël muhamedan, Melek be Frashëri – Kapitanë, Xhevdet Meqemea – Advokat, Zejnel be Prodani–Notabël, Teki be Selenica – Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar, Todi Naska

– Nëpunës drejtësie, Bektash H. Berberi-Zanatli, Gaqe papa Zaharia – direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi – Notabël, Andon Capo – Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojmë mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojmë e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.

Më 6 shtator 1919, së bashku me patriotët dhe vullnetarë beratas Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek. Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplotë tek amerikanët.

Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të tij.

Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e zgjodhi Koço Kota-n anëtar të Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e parlamentit shqiptar, organ i krijuar për here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare.

Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.

Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turko man, e detyruan Koçon t’i shprehte Ahmet Zogut, Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Sulejman Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turko-mane.

Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes. Qysh në fillimin e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet, në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse.

Për t’i bërë presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi. Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar.

Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, Koço Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që shpjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme territoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.

Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brendshme të shtetit Shqiptar”. Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi Dr. Koço Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore.

Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës Koço Kota ishte Prefekt i Beratit, u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numrin e tyre në 61 shkolla fillore. Më 14 tetor 1921, ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike. Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e Koço Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xhafer Ypi, ministrit të Punëve të  Brendshme Ahmet Zogu, në Berat (në sallën e Shkollës së “Mangalemit”) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare (KOASH)..

Më 27 dhjetorit 1923, Dr. Koç Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese, e cila u mblodh në janar 1924. Më 30 mars 1924 Koço Kota u emërua ministër i Punëve Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci. Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol. Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor 1924, Zogu u kthye nga Jugosllavia dhe erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Më 6 janar 1925, Kostaq Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv. Ministër i P. Brendshme. Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925, u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar. Më 17 maj 1925, Dr. Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.
Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërrimin e kufijve të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.

Më 23 shtator 1925 Dr. Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve Më 11 maj 1928, kryeministri Ahmet Zogu e emëroi Koço Kota-n Ministër të P. të Brendshme. Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja. Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë: “Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguar” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve./ Memorie.al