Pas risjelljes së idesë për blerjen e Grenlandës nga presidenti amerikan, Donald Trump, ka dalë në pah një tjetër territor që Shtetet e Bashkuara e kanë blerë nga Danimarka në vitin 1917.
Bëhet fjalë për Ishujt Virgjër amerikanë, dikur të njohur si Indet Perëndimore daneze.
Në rrjetet sociale është theksuar se brenda këtij territori ndodhet edhe ishulli Little Saint James, më i njohur si ishulli famëkeq i pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein, shkruan Newsweek.
Në vitin 1917, SHBA-ja pagoi 25 milionë dollarë në ar për të marrë kontrollin mbi ishujt Saint Thomas, Saint John dhe Saint Croix.
Ishulli Little Saint James ishte pjesë e kësaj blerjeje dhe më vonë, në vitin 1998, iu shit Epsteinit.
Ishulli u bë famëkeq si pronë private ku Epstein dyshohet se kreu krime seksuale, duke u shndërruar në qendër të hetimeve penale dhe padive civile pas arrestimit dhe vdekjes së tij.
Edhe sot, Little Saint James mbetet një temë diskutimi publik, me shumë që kërkojnë të dinë se kush dhe kur e ka vizituar ishullin.
Kjo u shtua edhe më shumë pas hapjes së dosjeve të Epsteinit, të cilat hodhën dritë mbi rrjetin e tij të kontakteve dhe procedurat ligjore në vazhdim.



