Ballina Kulturë Shën Sebastiani apo Sh’Masjani – Shenjti që u bë shembull guximi edhe...

Shën Sebastiani apo Sh’Masjani – Shenjti që u bë shembull guximi edhe për shqiptarët

24
0

Don Fran Sopi 

Shën Sebastiani, i njohur ndër shqiptarë prej shekujsh me emrin e dashur Sh’Masjani, është një nga shenjtorët më të nderuar të Kishës Katolike dhe një figurë shumë e afërt me shpirtin e popullit tonë. Emri i tij është përmendur brez pas brezi me respekt, në familje, në kisha dhe në lutjet e besimtarëve, veçanërisht në kohë të vështira dhe sprovash jetësore.

Festa e këtij Pajtori të shenjtë nuk është vetëm një kremtim fetar, por edhe një përkujtim i rëndësishëm i besimit të fortë, i guximit njerëzor dhe i qëndrueshmërisë shpirtërore, i cili na kujton se, edhe kur jeta bëhet e vështirë, njeriu ka gjithmonë mundësinë të zgjedhë të mirën dhe të qëndrojë besnik ndaj Zotit dhe ndërgjegjes së vet.

Për shumë breza shqiptarësh ndër shekuj, Sh’Masjani ka qenë:

Shenjt i lutjes, kur njerëzit kërkonin ndihmë nga Zoti;

Shenjt i shpresës, kur gjithçka dukej e errët;

Shenjt i mbrojtjes, në kohë rreziku, sëmundjesh apo frike.

Në mënyrë të veçantë, në Dioqezën Prizren–Prishtinë, Sh’Masjani nderohet si Pajtor i famullisë së Gllogjanit (të Pejës), si edhe i Peshterit (të Lipjanit) Kravasarit (të Malishevës), dhe Necit (të Gjakovës). Në këto treva (famulli të Dioqezës sonë), festa e tij është ruajtur me dashuri të veçantë dhe ka qenë gjithmonë një rast i rëndësishëm për bashkim familjar, për lutje të përbashkët dhe për ripërtëritje shpirtërore. Për banorët e këtyre zonave, Sh’Masjani nuk është thjesht një emër në kalendarin kishtar, por një shenjt që “i përket vendit”, një mik i afërt dhe një model i jetës së jetuar me ndershmëri dhe dinjitet.

Sipas traditës kishtare, emri i tij i vërtetë është Sebastian, me prejardhje nga gjuha greke, që do të thotë: i nderuar, i çmuar, i dalluar. Këto fjalë përshkruajnë shumë mirë jetën dhe karakterin e tij. Ai nuk u bë i njohur për pasuri apo pushtet, por për zemrën e pastër, guximin dhe besimin e palëkundur në Zotin.

Shën Sebastiani lindi dhe u rrit në qytetin e Milanos. Qysh në rini, ai u njoh me përndjekjet e rënda që u bëheshin të krishterëve në Romë për shkak të besimit të tyre në Jezu Krishtin. Përballë kësaj padrejtësie, ai nuk qëndroi indiferent dhe nuk heshti. Përkundrazi, i parashtroi vetes një pyetje të thjeshtë, por shumë të rëndësishme, e cila mbetet aktuale edhe sot:

“Çfarë mund të bëj unë për t’i ndihmuar të tjerët?”

Kjo pyetje është thelbësore edhe për njerëzit apo besimtarët e sotëm. Ajo na fton të mos mendojmë vetëm për veten, por të jemi të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve dhe të mos mbyllim sytë përballë vuajtjes.

Kjo ndjenjë përgjegjësie e ka shtyer Sh’Masjanin që të shkoj në Romë. Atje ai u bë ushtar dhe, falë ndershmërisë, aftësisë dhe përkushtimit, arriti shpejt në një pozitë të lartë. Megjithatë, këtë pozitë nuk e përdori për lavdi apo përfitime personale, por për të bërë mirë. Ai ndihmonte fshehurazi të krishterët e burgosur, i forconte në besim dhe u jepte shpresë që të mos dorëzoheshin. Kështu, ai u bë dritë në errësirë dhe shpresë në frikë. Kur u zbulua se ishte i krishterë, Sh’Masjani u dënua rëndë. I kërcënuar dhe i ballafaquar me vuajtje të mëdha, ai nuk u gjunjëzua dhe nuk e mohoi kurrë besimin e tij. Me guxim dhe besnikëri, qëndroi pranë Zotit deri në fund, i cili edhe më 20 janar të vitit 304, ai u vra dhe u bë martir, domethënë dëshmitar i fesë me vetë jetën e tij.

Pikërisht për këtë arsye shqiptarët e kanë dashur dhe e duan Sh’Masjanin: sepse ai u qëndroi besnik vlerave të tij deri në frymën e fundit. Në historinë tonë, të mbushur me sprova dhe sakrifica, figura e tij është parë gjithmonë si shenjë shprese dhe si mbrojtje shpirtërore. Në kohë sëmundjesh, rreziqesh apo vështirësish familjare e shoqërore, besimtarët i janë drejtuar atij në lutje për shëndet, paqe dhe forcë.

Edhe sot, figura e Sh’Masjanit mbetet shumë aktuale, për besimtarët e Krishtit. Ai na mëson se nuk është gjithmonë e lehtë të bësh zgjedhjen e drejtë, por është gjithmonë e bukur dhe e ndershme të jesh i guximshëm, i drejtë dhe i mirë. Shembulli i tij na kujton se nderi dhe dinjiteti nuk maten me famë apo pushtet, por me sjelljen ndaj të tjerëve dhe me besnikërinë ndaj së mirës. Prandaj, Sh’Masjani mbetet një shenjt i dashur për shqiptarët:

Si Pajtor i Kishës Katolike,

Si figurë e fortë e besimit dhe martirizimit dhe

Si shembull jete për besimtarët e Krishtit.

Pra, duke i ftuar të gjithë të jenë të mirë, të guximshëm dhe të qëndrueshëm në të mirën, në çdo kohë dhe rrethanë.

Për shumë mote, Sh’Masjani, për të gjithë ata që e festojnë!