Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është takuar këtë të premte me ministrin për Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Gunther Krischbaum.
Bardhi bën me dije se në fokus të diskutimeve ka qenë integrimi, teksa shkruan se opozita e mbështet vendin në këtë proces, por shton se është e nevojshme që të mos përdoret për të mbuluar keqqeverisjen.
E rëndësishme për Shqipërinë në këtë proces, thotë Bardhi, është qe dhe lufta kundër korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisë me krimin.
Reagimi i plotë:
Gjatë takimit e falenderova Ministrin Krischbaum për mbështetjen që ai personalisht dhe Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit. Nënvizova se integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend, dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen.
Opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe në meritë.
Në këtë proces, theksova se mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë.







