Boksieri amerikan Deontay Wilder është afër arritjes së një marrëveshjeje për një duel kundër britanikut Derek Chisora (36 fitore e 13 humbje në karrierë). Kjo sfidë, me shumë mundësi, do të zhvillohet në prill të këtij viti.
Wilder, ish-kampioni amerikan i botës në peshën e rëndë (44 fitore, 4 humbje e 1 barazim në karrierë) ka zhvilluar bisedime për një ndeshje kundër Chisora, i cili po përgatitet për ndeshjen e tij të 50-të profesionale.
“Jemi në negociata dhe marrëveshja është afër“, tha Shelly Finkel, bashkë-menaxherja e Wilder. Kampioni i botës Oleksandr Usyk kishte deklaruar së dëshironte të mbronte titujt kundër Wilder, por “bronze bomber” ka vendosur të përballet me Chisora.
Dy boksierët veteranë nxitën spekulimet rreth një përballjeje të mundshme në eventin IBA Pro 13 në Dubai, muajin e kaluar. Sfida e fundit e Wilder është fitorja ndaj Tyrrell Herndon, në qershor të vitit të kaluar.
Ndërsa Chisora ka fituar në tri sfidat e fundit, por nuk ngjitet në ring që nga shkurti i vitit të kaluar, kur mundi Otto Wallin. Kjo sfidë do të ishte një përgatitore për Wilder, që në fund të këtij viti mund të përballet me Usyk.







