Janë rikthyer sërish skemat mashtruese të ngjashme me firmat piramidale dhe kësaj radhe pre kanë rënë qytetarët e Lezhës. Pavarësisht se një skemë e tillë mashtroi edhe më herët qindra persona, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme financiare, institucionet përgjegjëse nuk ndërmorën asnjë veprim konkret për ta ndalur fenomenin.
Nuk u zhvillua një hetim i thelluar, nuk u identifikuan përgjegjësit dhe askush nuk u vu përpara drejtësisë, duke krijuar kështu terren të favorshëm për rikthimin e këtij mashtrimi. Skema më e re, e quajtur “Ivuu”, po funksionon sërish përmes aplikacionit “Telegram”, ku bëjnë pjesë rreth 260 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, nën emrin e grupit “Apex Albanian Group”.
Sipas burimeve, shumë qytetarë investuan rreth një vit më parë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se brenda dy javësh do të përfitonin dyfishin e investimit. Kulmi i lojës “Xeux” u shënua gjatë verës së vitit 2025. Skema funksiononte në formë zinxhiri, ku çdo individ sillte persona të rinj dhe përfitonte komisione.
Shumëfishimi i parave realizohej përmes të ashtuquajturave “sinjale”, të cilat rrisnin buxhetin në një portofol elektronik dhe nxisnin investime të mëtejshme. Për t’u bërë pjesë, mjaftonte një investim fillestar prej 1–2 mijë eurosh, së bashku me dorëzimin e kartës së identitetit, ndërsa komunikimi zhvillohej përmes aplikacionit “Telegram”.
Si pasojë, shumë persona humbën shuma të mëdha parash, ndërsa dyshohet se përfituesit realë ishin vetë organizatorët e skemës. Pjesëmarrësit tregojnë se u ishte premtuar se paratë mund të tërhiqeshin vetëm në Kosovë, në pika të ashtuquajtura të autorizuara.
Në kushtet kur kjo skemë ka nisur sërish të qarkullojë në Lezhë, kërkohet një reagim i menjëhershëm nga institucionet ligjzbatuese për të ndaluar përhapjen e saj dhe për të mbrojtur qytetarët nga humbje të tjera financiare.







