Ballina Kulturë Dhimitër Anagnosti përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes

Dhimitër Anagnosti përkujtohet në 90-vjetorin e lindjes

31
0

Përmes vargjeve të shkruara prej tij, pjesëve të filmave që u dha jetë dhe kujtimeve të familjarëve, miqve dhe kolegëve, Dhimitër Anagnosti është përkujtuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes, si një prej figurave themeluese të kinematografisë shqiptare.

Të pranishmit rikujtuan rrugëtimin krijues të Anagnostit dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që vepra e tij ka pasur në identitetin e kinemasë shqiptare.

Bashkëshortja e regjisorit, aktorja Roza Anagnosti ka sjellë në vëmendje kontributin shumëdimensional të Dhimitër Anagnostit.

“Na mungon fizikisht. Ishte ky një nderim për krijimtarinë shumë dimensionale të tij si poet filmi, regjisor, kamerë, skenar, shkrimtar dhe për kontributin e tij të rëndësishëm në kulturën kombëtare me një modesti fisnike. Sonte e patëm pranë me një pjesë të artit të tij. Unë dhe vajzat: Juna dhe Era që e adhuronin ju jemi shumë mirënjohës. Falenderoj në veçanti kolegët e mi te çmuar qe me interpretimin e tyre të mrekullueshëm i dhanë jetë dhe emocion veprave të Anagnostit.  Arti i filmit mban brenda mundin e shumë krijuesve disa prej të cilëve janë te pranishëm këtu e disa nuk janë mes nesh. T’i kujtojmë me një nderim e respekt të veçantë dhe me një duartrokitje.”, tha ajo.

Një rrugëtim të dhimbshëm dhe të bukur e quajti aktorja karrierën e Anagnostit.

“Ai gjatë karrierës artistike pati suksese dhe mori kënaqësi të papara. Dhimitri mbeti gjithmonë mirënjohës ndaj dashurisë që mori nga publiku, nga kolegë të respektuar që punën e tij të jashtëzakonshme në dobi të kulturës si artist, intelektual e si qytetar. Ishte një familjar i përkushtuar model, por ishte modest, ishte fisnik. Ndonëse kohët e fundit vuante nga shëndeti ai përballoi me dinjitet dhe me një guxim të paparë. Pranë kishte familjen e dashur, mjekët dhe miq të mrekullueshëm. Ka qenë një privilegj për mua që kam rrugëtuar me të 61 vjet. Krijuam artin tonë dhe një familje të bukur me vajzat tona, nipat, mbesat dhe të kam në mendje dhe në zemër përjetësisht!”, u shpreh Roza Anagnosti.

I cilësuar si një prej regjisorëve më të rëndësishëm të vendit, në karrierën e tij mëse 40-vjeçare, Anagnosti numëron 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

“Artisti i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Anagnosti lindi në vitin 1936 në Vuno dhe është ndarë nga jeta në 1 shtator të vitit 2025. Ndër filmat më të realizuar të Anagnostit, mbeten sot në panteonin e kinematografisë shqiptare tituj, si: “Komisari i dritës”, “Dueli i heshtur”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Në shtëpinë tonë”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj.