Në një fjalim të ashpër para protestuesve të mbledhur, nënkryetari i PD, Luçiano Boçi lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “kllounin modern” dhe “hajdutin e 14 miliardë eurove”.
Sipas Boçit, protesta nuk ishte një “spektakël politik”, por një thirrje e ardhur nga “dinjiteti, rezistenca, ndërgjegja qytetare dhe etja për të vërtetën”. Duke iu drejtuar turmës me godinën e kryeministrisë në sfond, ai deklaroi se ajo nuk ishte selia e shtetit, por “kuplaraja e pushtetit” dhe “vendi i hajnisë”.
Ligjvënësi demokrat tha se qeveria e ka shndërruar shtetin në “pronë private të bandave të krimit të organizuar”, dhe e ka kthyer qeverisjen në një “klub të mbyllur qejfi dhe ahengu”. Në qendër të kritikave ishin aferat korruptive, të cilat folësi i quajti “marramendëse”. Ai përmendi shifra konkrete, duke akuzuar për vjedhje në skandale si ai i inceneratorëve me 430 milionë euro dhe koncesionet me 500 milionë euro.
Boçi theksoi gjithashtu se ky pushtet u ka “helmuar jetën” dhe fatin shqiptarëve, duke marrë peng rininë dhe duke e detyruar atë të emigrojë, si dhe duke lënë në mjerim fermerët, bizneset dhe pensionistët. Në mbyllje të fjalimit, Boçi ofroi një mesazh shprese, duke konfirmuar se ekziston një alternativë e udhëhequr nga Sali Berisha dhe Partia Demokratike. Ai deklaroi se qëllimi është ndërtimi i një Shqipërie “ku pushteti e ka frikë qytetarin dhe jo qytetari pushtetin”.
I nderuar zoti Berisha, i nderuar kryetar të partive aleate, deputetë, të dashur protestues, qytetarë e qytetarë, bashkëkombas, ju përshëndes dhe dua t’ju them se sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik, as për t’u ngopur ndërvedi me fjalime mbresëlënëse. Nuk jemi mbledhur as për t’u numëruar nga dronët e mediave vampire të Edi Ramës, të cilat i kemi pasur sipër kokës dhe i kemi sipër kokës, dhe të cilat i kanë shpallur luftë të hapur opozitës dhe të vërtetës. Nuk jemi mbledhur sot as për t’u parë me urrejtje nga perdet e dritareve të frikës, pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimba të krimbur në pasuri dhe para pushtetit. Të dashur miq, ne jemi këtu sepse ne vlerësojmë jetën.
Ne jemi këtu se na ka thirrur dashuria e familjes. Ne jemi këtu se na ka thirrur adhurimi për zotin dhe kombin. Ne jemi këtu se na ka thirrur dinjiteti ynë. Ne jemi këtu se na ka thirrur rezistenca, shpirti dhe zemra opozitare, ndërgjegja qytetare, etja për të vërtetën. Ne jemi thirrur këtu nga guximi dhe detyra jonë për të luftuar deri në fund për të arritur qëllimin tonë. Ne jemi këtu sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin të drejtohet nga një njeri i cili e ka kthyer shtetin në pronë private dhe pronë të bandave të krimit të organizuar, që e ka kthyer qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu, dhe që tallet çdo ditë me fatet e shqiptarëve. Të dashur protestues, kjo ndërtesa që kemi në krah nuk është Kryeministria e shtetit. Jo, kjo është kuplaraja e pushtetit dhe pas atyre blindave që duhet t’i shembim me çdo kusht, nuk është pushteti, aty është mbërthyer frika e pushtetit. Dhe ne duhet ta shembim këtë pushtet.
Dhe aty nuk është vendi i qeverisë, jo, është vendi i hajnisë, i qenërisë, që kafshon pasuritë dhe paratë e shqiptarëve dhe shembja e tyre është detyrë para historisë, është detyrë para vendit, është detyrë para të gjithë qytetarëve dhe para të gjithë shqiptarëve. Prandaj jemi sot këtu me një numër kaq të madh protestuesish për të shprehur këtë revoltë dhe këtë zemërim. Dhe ta dini mirë, të dashur qytetarë, që këtu në Shqipëri aferat janë marramendëse, që këtu vjedhja ka emër dhe ka shifra. Dhe fillojnë me inceneratorët 430 milionë, vazhdojnë me laboratorët, me koncesionet 500 milionë dhe marrin rrugën e rrugëve, rrugën e tuneleve, të unazave, të aeroporteve, të parasë pisët, dhe këtu vërtiten miliarda. Dhe po ka emër, fillon me Beqajn, me Bllakon, vazhdon me Veliajn dhe Benetin dhe rrokulliset me Ballukun, Agasin dhe tërmetin. Dhe nuk mbaron as me Akshin dhe as me Smart City-n. Por ama në të gjithë këtë përmbledhje, ka një emër që i bashkon në unitetin parti-shtet.
Është ai, klouni ynë modern i shtetit tonë arkaik. Është ai hajduti i 14 miliardë eurove. Është Edi Rama, i cili pak për neglizhencën tonë politike, pak për humorin me të cilën merren batutat e tij që në fakt shpërndajnë vetëm urrejtje, pak nga verbëria me dashje e ndërkombëtarëve, më së shumti nga krimi i organizuar dhe nga grabitja e zgjedhjeve, e ktheu ditë pas dite Republikën e Shqipërisë në Republikën e korrupsionit. Dhe çdo ditë i zhvati, i zhveshi pasuri, toka, det, njerëz, familje kësaj republike. Dhe ky njeri i ka helmuar jetën, i ka helmuar tokën, i ka helmuar fatin njerëzve më vitalë të planetit dhe në fund kërkon që ata ose të rrinë në heshtje, ose të largohen nga ky vend.
Ka 13 vite që i ka marrë peng. Ka marrë peng rininë e këtij vendi, të cilën e detyron që të mallkojë ditën që ka lindur në Shqipëri dhe të largohet nga sytë këmbët. Ka marrë peng fermerët, të cilët me sytë nga qielli mallkojnë punën dhe produktin e tyre. Ka marrë peng bizneset, ka marrë peng pensionistët, ka marrë peng mjekët, arsimtarët, ka marrë peng qytetarët dhe ta dini mirë, të dashur miq, kur përmendet emri i këtij njeriu, edhe alfabeti ynë i shenjtë bëhet pis me këtë emër. Sepse ky njeri vazhdon të ndërtojë kate fasadash, kate luksi dhe pasurie, ndërsa shqiptarët ndërtojnë kate borxhi, kate mjerimi dhe kate varfërie.
Sepse ky njeri dhe eskorta e tij, ndërsa numërojnë milionat dhe qindrat e apartamenteve dhe të pasurisë, shqiptarët e shkretë u mbahet fryma tek numërojnë qindarkat e fundit në xhepin e tyre. Ndërsa ky tallet dhe gajaset me fatin e tyre, shqiptarët ofshajnë për fatin e fëmijëve dhe të afërmve të tyre që janë larguar. Por, ky është Edi Rama, ky është armiku i shqiptarëve. Megjithatë, të dashur protestues, këtu në këtë shesh ka një dilemë shumë të madhe, dilemë që ju e keni brenda, dilemë që e kanë shqiptarët. A ka një alternativë? A ka një shpresë që është ndryshe si një besim i ri? Dhe përgjigja e Sali Berishës, përgjigja ime, përgjigja e Partisë Demokratike është po, ka një shpresë, një alternativë, sepse ne duam, ne duam një Shqipëri ku pushteti e ka frikë qytetarin dhe jo qytetari pushtetin.







