Një nënë 33-vjeçare u qëllua për vdekje me thikë në shtëpinë e saj në Spanjë, ndërsa ish-partneri i saj është arrestuar si autor i dyshuar. Sipas raportimeve, Victoria Hart nënë e 3 fëmijëve u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në periferi të Malagas.
Krimi u zbulua nga dy fëmijët e saj 11 dhe 7 vjeç të cilët ikën me vrap nga shtëpia e tyre në panik për të njoftuar fqinjët. Mësohet se pranë saj ishte thika e kuzhinës.
33-vjeçarja thuhet se ishte zhvendosur nga Britania në Spanjë disa muaj më parë dhe kishte ngritur biznesin e saj duke punuar si estetiste. Ajo sapo ishte ndarë nga një partner që kishte, me të cilin kishte pasur shumë tensione kohët e fundit.
Ajo gjithashtu ishte regjistruar në platformën VioGen që shteti spanjoll ka krijuar që nga viti 2007 për rastet e viktimave të dhunës me bazë gjinore.







