Meteorologia nga Minneapolis, Jennifer McDermed, u bë virale pasi postoi një foto dhe video të një pjate me shpageta plotësisht të ngrira, bashkë me një pirun, ndërsa temperaturat e ulëta kanë përfshirë vendin.
“Minneapolis arriti një minimum prej minus 29 gradë Celsius. Sigurisht që më është dashur të bëj eksperiment”, tha McDermed.
Videoja e postuar më 23 janar, e cila ka gati 10 milionë shikime, habiti përdoruesit e rrjeteve sociale.
“Haha e pabesueshme! Nuk mund ta besoj që nuk e kam provuar kurrë këtë”, shkroi një përdorues.
Raportohet se u deshën 20 minuta që shpagetat të ngrinin, duke mbajtur një pirun në ajër.
Temperaturat e ulëta kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit.
Ndryshe, e diela e fundit ishte dita më e keqe për anulimet e fluturimeve në SHBA që nga koha e COVID-19, sipas firmës së analizave të aviacionit Cirium.
Sipas mediave të huaja, mbi 17,000 fluturime janë anuluar gjithsej gjatë kësaj stuhie.
Të paktën shtatë të vdekur dhe 800,000 banorë pa energji elektrike, ndërsa stuhia e madhe dimërore godet SHBA-në.







