Ballina Ekonomia Tatimet paralajmërojnë kontrolle edhe për tregtinë online dhe shitjen e aksioneve

Tatimet paralajmërojnë kontrolle edhe për tregtinë online dhe shitjen e aksioneve

26
0

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi sot se, përveç sektorëve kryesorë që kanë qenë në fokus si ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore, tregtia online është një tjetër sektor për të cilin Administrata Tatimore po përgatit plane konkrete për adresimin e tij gjatë këtij viti.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Petrit Malaj, kreu i DPT-së, Binaj, bëri të ditur se po mblidhen të dhëna, përfshirë edhe nga bankat, lidhur me pagesat që kryhen përmes platformave digjitale në tregtinë online.

Këto raste, theksoi ai, do të adresohen nga drejtoritë specifike të DPT-së.

Binaj shtoi se aksione të tjera sektoriale lidhen me ato që u nisën gjatë vitit të kaluar, si shitja e makinave.

Për këtë sektor, sipas tij, është drejt përfundimit faza e parë me rreth 100 individë të përfshirë, me rezultate mjaft të kënaqshme, ndërkohë që kontrollet do të vijojnë me të njëjtin intensitet edhe gjatë këtij viti.

Gjithashtu, është identifikuar si sektor me risk edhe shitja e aksioneve, konkretisht transaksionet e aksioneve që kryhen midis individëve për kompani të ndryshme, por që nuk reflektojnë vlerën reale të tregut.

“Administrata Tatimore ka zhvilluar një model të ri për vlerësimin e këtyre transaksioneve, të cilat do të adresohen gjatë këtij viti, pasi konsiderohen gjithashtu sektor me risk”, tha Binaj.