Ballina Ekonomia Paketa Fiskale 2027/ Regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri...

Paketa Fiskale 2027/ Regjimi i TVSH-së për Bursën e Energjisë zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE

37
0

Regjimi i veçantë i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) propozohet të zgjatet deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, nga 31 dhjetori 2026 që është afati aktual.

Ndryshimi parashikohet në projektligjin “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, pjesë e projekt- paketës fiskale 2027, të përgatitur nga Ministria e Financave.

Regjimi i veçantë i TVSH-së për Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX) synon të lehtësojë blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike në bursë. Sipas këtij regjimi për energjinë që tregtohet në bursë nuk aplikohet TVSH-ja në momentin e shitjes, ndërsa detyrimi për llogaritjen dhe deklarimin e saj i kalon blerësit. Kjo mënyrë shmang nevojën që kompanitë të paguajnë TVSH-në paraprakisht për çdo transaksion, duke u lejuar të përdorin më lirshëm fondet e tyre dhe duke lehtësuar tregtimin e energjisë. Në Paketën Fiskale 2027 propozohet që ky regjim, i cili përfundon më 31 dhjetor 2026, të vazhdojë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas relacionit shpjegues, propozimi është bërë me kërkesë të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX) dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e vijimësisë së regjimit të veçantë tatimor që zbatohet për transaksionet në bursën e energjisë.

Aktualisht, afati i zbatimit të këtij regjimi përfundon më 31 dhjetor 2026. Me ndryshimet e propozuara, ky afat nuk do të përcaktohet më sipas një date fikse, por do të lidhet drejtpërdrejt me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vijimësia e tij konsiderohet e rëndësishme për ruajtjen e kushteve të funksionimit të tregut, lehtësimin e transaksioneve nëpërmjet bursës dhe garantimin e parashikueshmërisë për subjektet pjesëmarrëse.

Ministria e Financave vlerëson gjithashtu se gjatë zbatimit të deritanishëm të këtij regjimi nuk janë evidentuar problematika në administrimin e tij nga administrata tatimore.

Projektligji parashikon heqjen nga neni 155/3 i ligjit aktual të TVSH-së të afatit “Deri më 31 dhjetor 2026”, ndërsa shton një nen të ri, 155/4, ku përcaktohet se regjimi i veçantë për Bursën Shqiptare të Energjisë do të zbatohet deri në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas relacionit, ndryshimet e propozuara nuk synojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, por ruajtjen e regjimit ekzistues deri në momentin e anëtarësimit.

Projektligji parashikon që ndryshimet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe t’i shtrijnë efektet nga data 1 janar 2027. Sipas Ministrisë së Financave, miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji nuk pritet të sjellë efekte financiare në buxhetin e shtetit.