Ballina Aktualitet Gati zgjerimi i rrugës Gjirokastër-Kakavijë, hapet tenderi për aksin 24 km

Gati zgjerimi i rrugës Gjirokastër-Kakavijë, hapet tenderi për aksin 24 km

63
0

Me një fond limit prej gati 100 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për studimin dhe projektimin e zgjerimit të aksit rrugor Gjirokastër – Kakavijë. Ky segment, me gjatësi rreth 24 km, përbën pjesën fundore jugore të Korridorit Adriatiko-Jonian, që synon të lidhë Shqipërinë me rrjetin rrugor të Greqisë.

Sipas dokumenteve të tenderit, projekti parashikon zgjerimin dhe përmirësimin e rrugës ekzistuese, duke e kthyer në një autostradë të kategorisë A, me dy korsi lëvizjeje për çdo drejtim dhe korsi emergjence. Studimi ekzistues i fizibilitetit parashikon ndërtimin e 4 nyjeve në disnivel dhe disa urave, ndërsa zgjidhjet përfundimtare do të përcaktohen gjatë projektimit.

Aksi nis në përfundim të bypass-it të Gjirokastrës, pranë Derviçanit, dhe përfundon në pikën kufitare të Kakavijës. Ndërhyrja synon të përmirësojë lidhjen me Greqinë, të lehtësojë transportin e mallrave dhe udhëtarëve, si dhe të reduktojë kohën dhe kostot e udhëtimit.

Kompania që do të shpallet fituese do të duhet të analizojë alternativat e gjurmës, kushtet teknike dhe ndikimet mjedisore e sociale, si dhe të përgatisë projektin për realizimin e investimit.

Tenderi përfshin vetëm studimin dhe projektimin e aksit, ndërsa financimi dhe procedurat për ndërtimin e tij do të jenë faza të mëvonshme. Korridorit Adriatiko- Jonian është pjesë e Korridorit TEN-T Mesdhetar dhe ka një gjatësi totale prej 1,550 km, teksa 20% e gjatësisë së tij kalon në territorin shqiptar. I njohur ndryshe dhe si Korridori Blu, në territorin shqiptar gjatësia totale e tij është 315 km dhe nis nga Kakavija, në Gjirokastër, deri në Murriqan, ku bëhet lidhja me Malin e Zi.