Ballina Ekonomia Siguracion i detyrueshëm edhe për transportin detar të pasagjerëve, pagesat në rast...

Siguracion i detyrueshëm edhe për transportin detar të pasagjerëve, pagesat në rast aksidenti ose humbje jete

32
0

Rregullorja “Për përgjegjësinë e transportuesve të pasagjerëve nga deti në rast aksidenti” forcon ndjeshëm mbrojtjen e pasagjerëve, duke përcaktuar detyrime të qarta financiare për transportuesit, si në rast aksidenti detar ashtu edhe për incidente të tjera gjatë transportit.

Një nga risitë kryesore është pagesa paraprake në rast vdekjeje ose dëmtimi personal të pasagjerëve. Sipas Nenit 7, transportuesi që ka kryer të gjithë ose një pjesë të transportit në momentin e incidentit detar është i detyruar të kryejë një pagesë paraprake brenda 15 ditëve nga identifikimi i personit që ka të drejtë për dëmshpërblim, për të mbuluar nevojat ekonomike të menjëhershme. Në rast vdekjeje, kjo pagesë nuk mund të jetë më e vogël se 21 000 euro. Kjo dispozitë zbatohet edhe për transportin kombëtar, kur nisja dhe mbërritja kryhen brenda porteve të Republikës së Shqipërisë.

Rregullorja përcakton gjithashtu në mënyrë të detajuar përgjegjësinë e transportuesit. Për humbjet që rrjedhin nga vdekja ose plagosja personale e një pasagjeri si pasojë e një aksidenti detar, përgjegjësia e transportuesit është e kufizuar deri në 250 000 njësi llogaritjeje për pasagjer, për çdo rast të dallueshëm. Ky kufi mund të tejkalohet vetëm nëse transportuesi nuk arrin të provojë se aksidenti ka ndodhur pa fajin ose neglizhencën e tij. Përjashtime parashikohen vetëm në raste të jashtëzakonshme, si akte lufte, fenomene natyrore të pashmangshme ose akte të qëllimshme të palëve të treta.

Në rastet kur vdekja ose dëmtimi fizik i pasagjerit nuk shkaktohet nga një incident detar, transportuesi mban përgjegjësi vetëm nëse provohet se humbja ka ardhur si pasojë e fajit ose neglizhencës së tij, me barrën e provës që i takon paditësit. Rregullat shtrihen edhe mbi bagazhin e pasagjerëve, ku për bagazhin e kabinës faji i transportuesit supozohet në rast ngjarjeje detare, ndërsa për bagazhin tjetër transportuesi është përgjegjës përveçse kur provon se nuk ka pasur faj apo neglizhencë.

Një shtyllë tjetër e rëndësishme e rregullores është siguracioni i detyrueshëm. Transportuesit që operojnë anije të regjistruara në Republikën e Shqipërisë, të licencuara për më shumë se 12 pasagjerë, janë të detyruar të mbajnë siguracion ose garanci të tjera financiare për të mbuluar përgjegjësinë në rast vdekjeje ose plagosjeje personale të pasagjerëve. Kufiri minimal i këtij siguracioni është jo më pak se 250 000 njësi llogaritjeje për pasagjer, për çdo rast të dallueshëm.

Për të garantuar zbatimin e këtyre detyrimeve, çdo anije duhet të pajiset me certifikatë siguracioni, të lëshuar ose të certifikuar nga autoritetet përkatëse, e cila përmban të dhëna të detajuara mbi anijen, transportuesin, numrin IMO, llojin dhe kohëzgjatjen e siguracionit, si dhe vlefshmërinë e certifikatës.

Me këto parashikime, rregullorja synon të rrisë sigurinë juridike dhe financiare për pasagjerët, duke garantuar kompensim të shpejtë dhe përgjegjësi të qarta për transportuesit detarë, si në transportin ndërkombëtar ashtu edhe në atë kombëtar./ekofin.al