Shoqëria civile ka organizuar këtë të mërkurë një protestë para Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Migen Qiraxhi, në fjalën e tij u bëri thirrje deputetëve që të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe jo, siç u shpreh ai, “ministrat hajdutë që vjedhin qytetarët”. Sipas Qiraxhit, Kuvendi është institucioni ku deputetët e zgjedhur nga qytetarët duhet të përfaqësojnë hallet dhe interesat e tyre, ndërsa jo të mbrojnë zyrtarë të dyshuar për abuzime.
Ai theksoi se, sipas prokurorisë, një ministër dyshohet për vjedhje dhe për këtë arsye kërkohet heqja e imunitetit, ndërsa reagimi i deputetëve për ta mbrojtur atë është i papranueshëm. Qiraxhi përmendi me emra disa deputetë, duke ngritur pyetjen nëse ata kanë pyetur qytetarët që i kanë votuar nëse duhet të mbrohet një zyrtar i dyshuar për abuzim me detyrën.
“Nuk mundet me urdhër partie të mbrohen ata që bëjnë rrugë me 220 milionë euro që prishen. Deputetët janë mandatuar nga qytetarët për të mbrojtur interesat e tyre dhe jo hajdutët,” u shpreh ai.
Në fund të fjalës së tij, Qiraxhi theksoi se Shqipëria po përballet me një realitet të vështirë social, ku qytetarët e zakonshëm nuk arrijnë të blejnë dot një banesë, ndërsa, sipas tij, ministrat zotërojnë dhjetëra apartamente. “Nuk mundet që qytetarët të bëhen mish për top,” përfundoi ai.







