Nga Blerina Gjoka, BIRN
Pas 1 muaj e gjysmë zvarritje mazhoranca socialiste ka vendosur të kërkojë akoma më shumë kohë për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, për arrestimin e zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” me vlerë qindra milionë euro.
Në kundërshtim me rregulloren dhe praktikat e mëparshme parlamentare Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka vendosur të shtyjë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, e njoftuar prej tij për të mërkurën, duke rrezikuar kështu të djegë limitet kohore që ka Kuvendi për t’u shprehur ndaj një kërkese të prokurorisë për arrestimin e një deputeti.
Justifikimi i Peleshit për shtyrjen lidhet me një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për një masë tjetër të marrë më herët nga Gjykata e Posaçme ndaj Ballukut, çështje e cila nuk ka lidhje me kërkesën e SPAK në Kuvend. Në njoftimin për shtyrjen e mbledhjes thuhet se është marrë në konsideratë kërkesa e disa anëtarëve të Këshillit, që shqyrtimi i kërkesës së SPAK “të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese”.
Peleshi vlerëson se “një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”.
Zvarritja prej javësh e mbledhjes vjen në një linjë me qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama që paralajmëroi publikisht se mazhoranca që ai drejton do të priste të shprehej Gjykata Kushtetuese para se të merrte qëndrim për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut.
Gjykata Kushtetuese ndërkohë pritet të shpallë vendimin për kërkesën e Ramës për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Ballukut, vendim që sipas tij është në konflikt kompetencash me rolin e Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave. Më herët kjo gjykatë ka vendosur ngrirjen e efekteve të pezullimit duke e kthyer Ballukun në detyrë deri në vendimin përfundimtar të çështjes.
Çështja u shqyrtua në themel më 22 janar, por gjyqtarët kushtetues nuk janë mbledhur ende për të shpallur vendimin.
Balluku është rasti i parë kur një zyrtare kaq e lartë e qeverisë merret e pandehur nga SPAK me akuza për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro dhe vijon të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që kryeministri ka marrë përsipër mbrojtjen e saj juridike dhe publike.
Shtyrja përtej 3 muajve e shqyrtimit të kërkesës së SPAK mund të çojë në rrëzimin automatik të saj, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit.
Kërkesa e SPAK në Kuvend ka mbërritur më 16 dhjetor dhe mbledhja e parë e Këshillit u thirr më 19 dhjetor, mbledhje e cila nuk arriti në asnjë rezultat pasi socialistët kërkuan 3 javë kohë që të njihen me një dosje hetimore voluminoze rreth 16 mijë faqe që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend, përkundër kërkesës së prokurorëve që mjaftonin 3 deri në 5 ditë.
Gjithsesi asnjë anëtar socialist i këshillit dhe as avokati nuk e kanë tërhequr dosjen në Kuvend për t’u njohur me të, ndërsa Peleshi refuzoi në mënyrë të përsëritur të mblidhte Këshillin pavarësisht kërkesave të përsëritura të 5 anëtarëve të opozitës në Këshill, sipas parashikimeve të rregullores.
Në janar Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal ndaj tij për “shpërdorim detyre” duke akuzuar se ka penguar drejtësinë duke cenuar hetimet e prokurorisë.
Është kjo strukturë bipartizane parlamentare që pas shqyrtimit të kërkesës së prokurorisë harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit.
Sipas ekspertëve të ligjit, zvarritja e shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme bie në kundërshtim me frymën e dispozitave ligjore dhe vendos një precedent të rrezikshëm të qëndrimit të Kuvendit.







