Ballina Politika Rama shqetësohet për “frymën fashiste” në protestë por jo për ata që...

Rama shqetësohet për “frymën fashiste” në protestë por jo për ata që kërkojnë dorëheqjen e tij

75
0

Kryeministri Edi Rama ka shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si një “frymë fashiste” që po shfaqet në protestat e nisura fillimisht kundër investimit në Zvërnec. Në podkastin e tij të fundjavës, ai dënoi bullizmin, kërcënimet dhe presionin ndaj artistëve apo qytetarëve që kanë mendime të ndryshme, duke marrë si shembull sulmet ndaj këngëtarit Ylli Limani.

Megjithatë, në një reagim të gjatë ku analizoi gjithçka, nga rrjetet sociale te rezervimet turistike dhe partitë e vogla politike, Rama nuk u ndal te kërkesa kryesore që po artikulohet prej dy javësh në protestat e Tiranës: dorëheqja e tij. Kryeministri foli për dëmin që protestat po i shkaktojnë turizmit, për pjesëmarrës që vijnë nga qytete të tjera dhe për atë që e konsideron një tentativë për të krijuar frustrim shoqëror, por shmangu komentimin e drejtpërdrejtë të thirrjeve të përditshme të protestuesve për largimin e qeverisë.

Sipas Ramës, është e papranueshme që një grup njerëzish t’u imponojë të tjerëve mënyrën se si duhet të mendojnë, ndërsa paralajmëroi se “fryma fashiste” duhet ndalur dhe se nuk duhet të ketë tërheqje përballë atyre që kërcënojnë apo bullizojnë qytetarët me mendime ndryshe.