Tuneli i Murrizit në Rrugën e Arbrit nuk është kolauduar dhe nuk është marrë në dorëzim nga institucionet shtetërore.
Këtë e bën të ditur deputetja e PD-së, Denisa Vata me një dokument të shpërndarë në rrjetet sociale.
Reagimi i deputetes së PD, Denisa Vata:
Pasi i jam drejtuar me shkresë zyrtare Autoritetit Rrugor Shqiptar për Rrugën e Arbrit, konkretisht për Tunelin e Murrizit, duke ngritur disa pyetje dhe kam marrë këtë përgjigje.
Sipas përgjigjes zyrtare të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tuneli i Murrizit është hapur për qarkullim pa u kryer kolaudimi, një procedurë e detyrueshme ligjore që certifikon sigurinë strukturore, funksionale dhe teknike të veprës. Kolaudimi nuk është formalitet, por është akti përfundimtar që garanton se struktura e tunelit garanton kushtet reale të përdorimit sipas standardeve dhe se vepra nuk paraqet rrezik për jetën e qytetarëve.
Hapja për qarkullim e një tuneli pa këtë certifikim përbën shkelje të procedurave ligjore, tejkalim kompetencash dhe ekspozim të drejtpërdrejtë të qytetarëve ndaj rrezikut.
Mbetet pyetja thelbësore: kush mban përgjegjësi? Autoriteti Rrugor Shqiptar ia hedh përgjegjësinë Ministrisë së Infrastrukturës, ndërkohë që vetë ARRSH është administratori i rrugëve ka detyrimin ligjor të mos lejojë hapjen për qarkullim të një vepre pa kolaudim.
Pse tuneli u hap pa u kolauduar?
Pse u inaugurua nga Kryeministri dhe zv.Kryeministrja Balluku , pa qenë i kolauduar, në një periudhë elektorale?
Këto nuk janë pyetje politike, por pyetje sigurie, ligjshmërie dhe përgjegjësie publike.







