Ballina Sport Fitore e çmendur, një portier nxjerr Realin nga “Top8”, tërbohet Mou: Nuk...

Fitore e çmendur, një portier nxjerr Realin nga “Top8”, tërbohet Mou: Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë…

34
0

E besoni apo jo, por një gol i portierit Trubin në minutën e 98-të nxjerr Real Madrid jashtë “Top8” në Champions, vendos në “siklet” gjigandët spanjoll duke i dërguar në “play-off”. Ku është Jose Mourinho ka gjithnjë lajm, këtë herë “Speciali” vë në jetë një mrekulli të vërtetë, për ironi të fatit kundër ish ekipit tij dhe në dëm të Arbeloa-s, me këtë të fundit që e konsideroi një “spiun”. Me këtë sukses të “çmendur” 3-2 në limite, Benfika e tij siguroi një biletë për në fazën “play-off” të Champions League, mbyll fazën e Ligës në vendin e 24-ët, kjo falë golavarazhit më të mirë.

Si gjithnjë, ishte Kylian Mbappe ai i cili zhbllokoi ndeshjen me një goditje të saktë me kokë në minutën e 30-të. Festa nuk zgjati shumë pasi 6 minuta më vonë, Benfika barazoi shifrat në 1-1. Portugezët nuk u mjaftuan me kaq pasi në limitet e pjesës se parë fituan një 11-metërsh, i konvertuar në gol nga Pavlidis. Me fillimin e pjesës së dytë, Schjelderup tronditi Realin duke realizuar golin e tretë për Benfikën dhe të dytin personal. Për të rikthyer edhe një herë Realin në lojë, mendoi sërish Mbappe, me “gjelin francez” që ngushtoi shifrat në 3-2 katër minuta më vonë.

Fundi i ndeshjes prodhoi raste pafund, por dhe kaos ku nuk munguan as kartonët e kuq, me Raul Asencion dhe Rodrygon që lanë Realin me 9-të lojtarë. Ekipit të Arbeloa-s i duhej një pikë për kaluar në “Top8”, ndërsa Benfikës një tjetër gol. Në frymën e fundit, në minutën e 98-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Trubin me kokë mposhti portierin Courtois duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë, për më tepër kur kuptuan se ky gol i mban në lojë në Champions duke i dhuruar një biletë për në fazën “play-off”.

Një fund i çmendur, ku si gjithnjë nuk mund të mungonte as festa e Mourinho-s, me teknikun portugez që pranoi se këtë ndjesi, një gol të tillë e ka shijuar për herë të parë në karrierë:

“Në një moment më kaloi gjithçka përpara syve. Kjo që ndodhi sot ishte hera e parë në karrierë. Nuk e dija që duhej edhe një gol më shumë, ma thanë në minutën e fundit. E dinim që Trubin mund të realizonte, edhe ndaj Portos i shkoi shumë pranë, në fund diferencën e bën krosimi. Gjithsesi, edhe nëse nuk do të kualifikoheshim do të ishim krenar për këtë ecuri”, u shpreh Jose Mourinho.