Charles Victor Thompson, 55 vjeç, u bë i burgosuri i parë që u ekzekutua me dënim me vdekje në Teksas për vitin 2026. Ai mori një injeksion vdekjeprurës në burgun e Huntsville.
Thompson ishte dënuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Denise Hayslip, dhe partnerit të saj, Darren Keith Kane, në maj të vitit 1998. Krimi ndodhi më 1 maj 1998, një ditë pas një konflikti mes tyre. Në shtëpinë e Hayslip, Thompson qëlloi fillimisht disa herë Kane dhe më pas e qëlloi në gojë Hayslip.
Dënimi me vdekje për Thompson u dha për herë të parë në prill 1999, por një vit më vonë, në 2001, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin, pasi u zbulua se Zyra e Prokurorit të Qarkut Harris kishte përdorur në mënyrë jokushtetuese një hetues të fshehtë për të mbledhur prova.
Megjithatë, në rigjykimin e vitit 2005, Thompson u dënuar sërish me vdekje. Ky rigjykim erdhi pas një tentative arratisjeje nga burgu, gjatë së cilës ai përdori rroba të vjedhura dhe dokumente identiteti të rreme. Thompson u kap pas tre ditësh, jashtë një dyqani pijesh alkoolike në Luiziana.
Statistikat e ekzekutimeve në SHBA
Në vitin 2025, u kryen 47 ekzekutime në Shtetet e Bashkuara, një shifër e lartë krahasuar me rreth 20 ekzekutime në vit për dekadën e fundit. Ky ishte numri më i madh që nga 52 ekzekutime të regjistruara në vitin 2009.
Nga këto, 39 u kryen me injeksion vdekjeprurës, pesë me asfiksim nga thithja e azotit – një metodë e përdorur për herë të parë në botë në Alabama në vitin 2024 dhe që ekspertët e OKB-së e kanë krahasuar me një formë “torture”. Tre të tjera u kryen nga skuadrat e pushkatimit në Karolinën e Jugut; kjo metodë ekzistonte në SHBA që nga viti 2010.
Vetëm 11 shtete, kryesisht në Jug, kryen ekzekutime në vitin 2025, ndërsa dënimi me vdekje është hequr nga 23 nga 50 shtete në SHBA.







