Ballina Aktualitet A është SPAK arsyeja se pse u shkri Kadastra e Vlorës?

A është SPAK arsyeja se pse u shkri Kadastra e Vlorës?

42
0

Vendimi i beftë i Lorena Goxhobellit për të shkrirë Kadastrën e Vlorës duke e transferuar atë në Tiranë ka lënë të habitur jo vetëm punonjësit, por edhe qytetarët e Vlorës. Cila është arsyeja se pse qeveria vendosi të hiqte një shërbim të rëndësishëm publik në një nga bastionet e saj më të forta politike.

Ndonëse zyrtarisht Kadastra tha se kjo është një lëvizje e planifikuar në kuadër të riorganizimit, që ka nisur pesë vite më parë, ky vendim përkon me disa zhvillime të tjera të rëndësishme, veçanërisht në frontin e SPAK.

Një muaj e gjysmë më parë, SPAK shpërtheu në publik dosjen AKSHI duke kërkuar masa ndalimi për një grup biznesmenesh dhe zyrtarësh të AKSHI-t, mes të cilëve edhe drejtoreshës së përgjithshme të këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj. Pas shpërthimit të dosjes në publik u hodhën zëra se ky grup ka ndërhyrë edhe në sistemin e Kadastrës duke regjistruar prona në mënyrë të jashtëligjshme.

Historikisht Kadastra e Vlorës ka qenë një nga institucionet me problematike të vendit, siç dëshmohet nga numri rekord i drejtorëve të dorëgequr apo të shkarkuar në këtë instucion gjatë viteve të fundit. Dhe shndërrimi i Kadastrës së Vlorës në gijotinë drejtorësh kishte vetëm një shkak, abuzimet masive me pronat në qytetin bregdetar.

Nëse SPAK ka rënë më të vërtetë në gjurmë të kasaphanës me zhvatjen e pronave në Vlorë, atëherë shkrirja e Kadastrës së Vlorës ka gjasë të mos jetë thjesht një lëvizje e planifikuar riorganizmi siç pretendon qeveria, por një përpjekje për të fshirë gjurmët e abuzimeve.