Këngëtarja fituese e çmimit Oscar, Lady Gaga, ndaloi koncertin e saj të fundit në Tokio për të dërguar një mesazh të fuqishëm kundër agjencisë amerikane ICE (U.S. Immigration and Customs Enforcement) dhe për të shprehur mbështetjen e saj për familjet dhe komunitetet që, sipas saj, po përballen me dhunë dhe padrejtësi në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një performance në kuadër të turneut të saj Mayhem Ball në Tokyo Dome, Gaga iu drejtua turmës në anglisht për të folur për situatën që po ndodh në Amerikë, ku, siç tha ajo, “njerëzit, fëmijët dhe familjet po shënjestrohen pa mëshirë nga ICE”. Ajo shtoi se zemra e saj “dhemb duke menduar për ata që po vuajnë dhe për jetët që po shkatërrohen para syve tanë”.
Këngëtarja gjithashtu përmendi shqetësimet e saj për ngjarjet që po ndodhin në Minnesota, ku komunitete të tëra jetojnë “në frikë dhe në kërkim të përgjigjeve”. Ajo i bëri thirrje udhëheqësve politikë të dëgjojnë mesazhin e saj dhe të ndryshojnë drejtimin e veprimeve, duke rikthyer një mjedis të “sigurtë, paqësor dhe me llogaridhënie”.
Në fund të fjalimit, Gaga i dedikoi këngën e saj “Come to Mama” audiencës, duke e cilësuar atë një himn mbështetjeje për “të gjithë ata që vuajnë, janë të vetmuar, të pafuqishëm apo kanë humbur një të dashur dhe po përballen me kohë të vështira”. Ky moment erdhi ndërsa debatet rreth rolit dhe veprimeve të ICE përforcohen në Shtetet e Bashkuara, me reagime dhe protesta të shumta pas vrasjeve të disa qytetarëve amerikanë nga agjentë të forcave federale. Gaga u bë një nga figurat publike të shumta që hodhën dritë mbi çështjen dhe shprehën solidaritet me komunitetet e prekura.







