Nga Blerina Moka
Blerina Basha po jeton ditët e saj ndoshta më të qeta të jetës, pas “stuhisë” në të cilën u gjend ajo dhe 3 fëmijët e saj, pas një videoje të shpërndarë në media ku shihej shtëpia e saj në gjendje të mjerueshme, e ku fëmijët e saj pozonin para kamerës së celularit të gjyshes së tyre.
Blerina pohon se po jeton aktualisht me 3 fëmijët në banesën e saj aktuale, duke u shkëputur nga puna.
Kjo periudhë 1 mujore, asaj i është lënë si test për të parë sa e aftë është të kujdeset për fëmijët e saj, pas pikëpyetjeve që ngriti ish-vjehrra e saj, pas pamjeve të tmerrshme që filmoi në banesë ku dukej qartë se nuk ishte prekur me ditë të tëra dhe ku rrëmuja e pisllëku ishin bërë bashkë, burim infeksioni për të miturit.
Blerina tregon se aktualisht po qëndron në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët, ndërsa pret nga Bashkia e Durrësit ndihmë me bonus qiraje dhe program ushqimor për të vegjlit.
Sa i takon kontakteve me familjen e ish-bashkëshortit, Blerina thotë se çështjen ja ka besuar drejtësisë.
“Jetojmë të qetë, familja ime po më ndihmon, sa i takon familjes së burrit nuk kam asnjë kontakt me ta”, thotë gruaja e re.
Në javën e parë të muajit janar, gruaja u gjend përballë një furie sharjesh dhe gjykimesh në rrjetet sociale, pas publikimit të pamjeve dhe deklaratës së ish-vjehrrës së saj se ajo i ka braktisur fëmijët. E pyetur nga mediat, Blerina shpjegoi se detyrohet të punojë 2 punë për shkak se kostoja e jetesës është e lartë dhe nga bashkëshorti nuk merr para mjaftueshëm. “Kam familje, por ndodhen jashtë për momentin se nuk janë mirë ekonomikisht.”, u shpreh Blerina por pas kësaj ngjarje që u mediatizua shumë, familjarët I janë gjendur pranë.







