Tavolinat e restoranteve u zbrazën, dritaret e bizneseve u errësuan dhe studentët lanë mësimin në disa qytete të Shteteve të Bashkuara të premten, në kuadër të një greve mbarëkombëtare “National Shutdown” për të protestuar kundër operacioneve federale të Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Kjo lëvizje shtrihet nga Minesota deri në qytete të largëta si Los Angeles, New York dhe Boston, ku njerëzit u ftuan të bojkotojnë punën, shkollën dhe blerjet për një ditë proteste.
Në Minesota, protestat hyjnë në javën e dytë pas dy vrasjeve të qytetarëve amerikanë nga agjentë federalë, përfshirë të 37-vjeçarit Alex Pretti dhe Renee Good, dy ngjarje që kanë shkaktuar zemërim dhe debate të gjera publike mbi mënyrën e zbatimit të ligjit nga agjencitë federale.
Sipas ‘CNN’, pemonstruesit marshuan në rrugë dhe u mblodhën përpara ndërtesave federale, disa me pankarta që kërkonin tërheqjen e ICE dhe reforma në politikën e imigracionit. Studentët organizuan mospjesëmarrje në mësim, ndërsa disa biznese vendosën të mbyllen për solidaritet me grevën.
Këto protesta ndodhin ndërsa Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së ka nisur një hetim për shkelje të të drejtave civile në lidhje me vrasjen e Alex Pretti, duke shtuar presionin mbi zyrtarët federalë dhe politikën e administratës për imigracionin.
Në sfond të këtyre tensioneve, reflektime të reagimit publik kanë përfshirë edhe angazhimin e figurave të famshme; për shembull, Bruce Springsteen publikoi një këngë proteste, Streets of Minneapolis, që i kushtohet Pretti dhe Good dhe ka fituar vëmendje si një shprehje artistike e zemërimit kundër operacioneve të ICE-it.
Debati rreth rolit të ICE-it dhe politikave të federalëve vazhdon të nxisë protesta, diskutime politike dhe kërkesa për ndryshim të politikave të imigracionit në nivele lokale dhe kombëtare.







