Filmi mbërrin në kinematë më 1 tetor dhe, për Cruise, duket se ka qenë më shumë se një sfidë profesionale. Në prag të këtij projekti dhe pasi festoi 64-vjetorin më 3 korrik, aktori ka reflektuar për kohën që kalon, frikën, ambicien dhe nevojën për të vazhduar të ketë ëndrra.
Në një intervistë të gjatë për GQ, ai foli hapur për marrëdhënien e tij me vdekjen.
“Kam frikë nga vdekja? Jo, nuk kam”, tha ai. “Nuk është se nuk e ndiej frikën. Por nuk më shqetëson ajo ndjesi. Nuk kam frikë të kem frikë. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe. Nuk kam frikë të them: ‘Në rregull, e di që ky është një hap i madh. Ta bëjmë. Shkojmë’.”
Një filozofi që shpjegon shumë edhe mënyrën si Cruise ka ndërtuar karrierën e tij.
Jo vetëm për shkak të stunt-eve ekstreme, avionëve, helikopterëve dhe skenave të rrezikshme të Mission: Impossible, por për mënyrën si e sheh vetë jetën: si një seri pasigurish që duhen përballuar, jo shmangur.
“E kuptoj që jeta është e përbërë nga siguri dhe pasiguri”, shpjegon ai. “Në kinema dhe në jetë, ajo që më intereson është të transformoj pasiguritë në siguri. Por dua edhe të krijoj të tjera pasiguri, në mënyrë që të kem gjithmonë diçka përpara. Kjo është pjesë e aventurës.”
Për Cruise, të mbushësh 64 vjeç nuk do të thotë të fillosh të ngadalësosh.
Përkundrazi.
Ai flet për këtë fazë si një periudhë në të cilën vazhdon të mësojë, të punojë dhe të kërkojë sfida të reja.
“Po jetoj jetën time dhe gjithmonë kam pasur ëndrra. Por e di gjithashtu se për t’i realizuar ato duhet punë. Duhet të kuptosh jetën, të fitosh aftësi dhe të vazhdosh të mësosh. Është një proces që nuk përfundon kurrë.”
Dhe pastaj është Oscari.
Gjatë karrierës, Tom Cruise ka marrë katër nominime në Academy Awards, mes tyre për Born on the Fourth of July, Jerry Maguire dhe Magnolia, por ende nuk e ka fituar statujën konkurruese për interpretimin.
Në vitin 2025 mori një Oscar nderi në Governors Awards, por çmimi për aktorin më të mirë mbetet ende një objektiv i papërmbushur.
Me Digger dhe bashkëpunimin me Iñárritu, emri i tij është rikthyer natyrshëm në bisedat rreth sezonit të çmimeve.
Por vetë Cruise nuk duket i interesuar ta mendojë jetën apo karrierën në terma “maje” dhe përfundimesh.
“Nuk dua të them kurrë: ‘E arrite kulmin’”, thotë ai.
“Gjithmonë ekziston një ëndërr tjetër.”
Dhe pastaj vjen fjalia që ndoshta e përmbledh më mirë gjithë mënyrën si ai e sheh jetën:
“Besoj se një person pa një ëndërr ka vendosur të mos jetojë.”







