Kreu i PPE-së, Manfred Weber kërkon një BE më efektive në takimin e Partive Popullore Evropiane në Zagreb. Por Kancelari Friedrich Merz ka shprehur skepticizëm në lidhje me zbatueshmërinë e propozimeve të tij.
Kancelarigjerman Friedrich Merz ka shprehur skepticizëm në lidhje me zbatueshmërinë e propozimeve për reforma të gjera në BE të paraqitura nga kreu i PPE-së, Manfred Weber. Në hapje të një samiti të PPE-së në Zagreb të Kroacisë, kryetari i CDU-së tha: “Arritja e ndryshimeve në traktat në këtë Bashkim Evropian prej 27 anëtarësh është një detyrë mjaft e vështirë”. Merz u shpreh për t’u fokusuar së pari në detyrat që janë “aktualisht në tryezë”, duke përfshirë “aftësitë mbrojtëse dhe konkurrueshmërinë”.
Në Zagreb, politikanë kryesorë nga familja e partive konservatore në BE, Partia Popullore Evropiane (PPE), diskutojnë mbi rolin e Evropës në një rend të ri botëror në të cilin fuqitë e mëdha luajnë një rol dominues. Përveç Merz, marrin pjesë edhe krerë të tjerë qeverish si Donald Tusk (Poloni) dhe Kyriakos Mitsotakis (Greqi).
Weber dëshiron ta bëjë BE-në më efektive
Kreu i PPE dhe nënkryetari i CSU-së, Weber, tha para takimit se donte të diskutonte propozimet e tij për reforma me udhëheqjen e PPE-së. “Ne jemi në dialog, po flasim me njëri-tjetrin”. Ai është kryesisht i shqetësuar për tre pika që duhet të çojnë në një BE më të fortë në botë:
Së pari: Pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane në vitin 2029, zyra e Presidentes së Komisionit (aktualisht Ursula von der Leyen) duhet të bashkohet me atë të Presidentit të Këshillit (António Costa). Kjo do t’i lejonte Evropës të fliste me një zë të vetëm.
Së dyti: Weber mbështet një ushtri evropiane. Kjo ushtri duhet të vendoset edhe në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje. Duke folur për revistën Der Spiegel, Weber tha: “Dhe nëse paqja do të vijë në Ukrainë, ne duhet të stacionojmë forca të përbashkëta paqeruajtëse evropiane atje, si bërthama për një ushtri evropiane.”
Së treti: Lidhur me parimin e unanimitetit në çështjet e politikës së jashtme, Weber dëshiron të lejojë një grup më të vogël shtetesh të bashkëpunojnë më ngushtë në politikën e jashtme përmes një “traktati sovraniteti”. Brenda këtij grupi, parimi i unanimitetit nuk do të zbatohej. Edhe kancelari Merz mbështet idenë e vendimeve me shumicë në politikën e jashtme, kjo tashmë është braktisur pothuajse tërësisht në lidhje me tregun e brendshëm. “Parimi i shumicës së kualifikuar zbatohet praktikisht kudo aty”, tha Merz.
Në deklaratën e tij qeveritare drejtuar Bundestagut të enjten, (29.01.) Merz kishte kërkuar që Evropa të afirmohet si një fuqi e pavarur në një rend të ri botëror të fuqive të mëdha përmes unitetit dhe vetëbesimit. Evropa duhet të mësojë të flasë “gjuhën e politikës së fuqisë”./DW



