Media ndërkombëtare Brown Political Review ka publikuar një shkrim kritik për qeverinë Rama, ku e cilëson emërimin e një “ministre” artificiale si një strategji propagandistike. Artikulli paralajmëron se mungesa e llogaridhënies dhe kontrollit demokratik rrezikon të thellojë problemet e korrupsionit dhe pushtetit të përqendruar.
Nga Benjamin Hader – Brown Political Review
Anëtarja më e re e kabinetit të Shqipërisë është shtatzënë… me 83 foshnje. Por mos u shqetësoni, ajo nuk është njeri. Njihuni me Diellën, “ministren e inteligjencës artificiale” të Shqipërisë.
Diella “lindi” me 19 janar 2025 me detyrën për të menaxhuar platformën ‘e-Albania’, e cila ofron në mënyrë digjitale mbi 1200 shërbime publike për qytetarët shqiptarë. Nga regjistrimi në shkollë deri te plotësimi i aplikimeve për punë, Diella ndihmon në shumë procese. Që nga krijimi i saj, Diella ka vulosur 36,000 dokumente, duke rritur aksesin ndaj shërbimeve burokratike.
Me 11 shtator 2025, kryeministri Edi Rama e emëroi zyrtarisht Diellën në një rol të ri, ministre e IA-së. Ky promovim e bën Diellën përgjegjëse për procesin e prokurimit publik të Shqipërisë, me vlerë miliarda dollarë, përmes të cilit qeveria blen mallra dhe shërbime nga sektori privat. Prokurimi publik është një nga fushat më problematike për korrupsion në Shqipëri: vendi mori 42 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024, që mat korrupsionin në sektorin publik. Duke vlerësuar çdo tender, duke analizuar meritat dhe duke vendosur nëse një kontratë duhet dhënë apo jo, Diella supozohet se do të parandalojë korrupsionin në prokurime, një problem që ka ndjekur qeverinë Rama.
Për Ramën, “pakorruptueshmëria” e Diellës është një mekanizëm kyç për anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, një premtim i madh elektoral që është penguar nga lufta shumëvjeçare e Shqipërisë me korrupsionin. Vitet e fundit, Shqipëria është afruar më shumë me BE-në dhe i ka mbetur për të përmbushur vetëm grupin e fundit të kritereve, bazat, ku përfshihen edhe formularët e prokurimit publik.
Përdorimi i Diellës si masë antikorrupsion është prezantuar si një risi revolucionare. Në fund të fundit, Diella është sistemi i parë i inteligjencës artificiale që shërben në kabinetin e një shteti. Megjithatë, teksa qëllimi i deklaruar i saj është të fitojë mbështetjen e BE-së duke luftuar korrupsionin dhe duke avancuar rolin e teknologjisë në qeverisje, emërimi i saj funksionon më shumë si një mjet propagandistik për qeverinë Rama. Me rritjen e pranisë së Diellës në Parlament dhe shpalljen e “foshnjave” të saj, Rama rrezikon të krijojë një entitet politik pa kontroll që mund të ndikojë politikat qeveritare. Mungesa e mbikëqyrjes, varësia nga kompani amerikane të teknologjisë dhe lidhjet jodemokratike me Partinë Socialiste rrezikojnë të dëmtojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe zhvillimin demokratik afatgjatë të vendit.
“Ndërsa prania e Diellës në Parlament rritet me shpalljen e foshnjave të saj, Rama rrezikon të krijojë një entitet politik pa kontroll që mund të ndikojë politikat qeveritare.”
Diella, që në shqip do të thotë “diell” ose “rreze dielli”, paraqitet si një grua e re e veshur me kostum tradicional shqiptar, duke e shndërruar luftën kundër korrupsionit në një detyrë kombëtare. Rama e ndërthur nacionalizmin shqiptar me pamjen vizuale të Diellës për të sinjalizuar një identitet të bashkuar dhe tradicional shqiptar që i paraprin globalizimit, paradoksalisht, duke e arritur këtë përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
Diella paraqitet si një forcë që sjell llogaridhënie në qeveri, por nuk ekziston asnjë mekanizëm politik që ta mbajë atë përgjegjëse. Ajo nuk mund të shkarkohet; nuk është reale. Atëherë, çfarë ndodh nëse merr një vendim të dëmshëm? Modelet e IA-së kanë paragjykime që varen nga të dhënat me të cilat trajnohen, dhe të dhënat e Diellës nuk janë publike. Modeli i saj është ndërtuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila raporton drejtpërdrejt te Rama. Të dhëna të njëanshme, zgjedhje dizajni dhe mungesa e transparencës e shndërrojnë Diellën në një mjet politik që ka më shumë gjasa të ulë llogaridhënien e Ramës dhe aleatëve të tij sesa të shërbejë si një aktor neutral dhe i pavarur. Me IA-në në krye, çdo faj për korrupsion në prokurime mund të zhvendoset nga qeveria Rama te Diella.
Përveç shqetësimeve për privatësinë e të dhënave dhe mungesës së neutralitetit politik, dihet se modeli i Diellës është ndërtuar mbi teknologji të huaj, një tjetër pengesë për llogaridhënien. Diella funksionon në Microsoft Azure dhe përdor modele të OpenAI, të dyja platforma amerikane. Edhe pse AKSHI furnizon sistemin me të dhëna të qeverisë shqiptare, vendimmarrja e Diellës varet nga teknologjia amerikane, duke e bërë atë të varur nga SHBA-ja për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm. Qeveria shqiptare nuk mund të mbikëqyrë vendimet e këtyre kompanive teknologjike amerikane njësoj siç mbikëqyr kompanitë shqiptare.
Edhe pse Diella është promovuar si një mjet efektiv për uljen e korrupsionit në kuadër të integrimit në BE, ajo bie ndesh me udhëzimet e vetë BE-së për IA-në. Ligji i IA-së i BE-së për vitin 2024 përcakton rregulla që Shqipëria aktualisht nuk i zbaton, përfshirë kërkesën për të bërë publike një përmbledhje të përmbajtjes që përdoret për trajnimin e Diellës. Meqë Diella ka akses në infrastrukturë kritike, ajo konsiderohet një sistem “me rrezik të lartë” dhe duhet të mbikëqyret nga një “autoritet kombëtar kompetent” i pavarur, të cilin Shqipëria ende nuk e ka krijuar.
Për më tepër, “foshnjat” e Diellës përbëjnë një kërcënim të brendshëm për demokracinë funksionale, sepse favorizojnë Partinë Socialiste të Ramës. 83 “fëmijët” e saj do të shërbejnë si asistentë, duke regjistruar seanca parlamentare dhe duke ofruar sugjerime politike. Por vetëm 83 deputetët e Partisë Socialiste kanë akses në to, duke krijuar një ndarje të qartë partiake ku vetëm një pjesë e politikës përfiton nga ndihma e Diellës. Ndërsa Diella bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në qeveri, kontrolli i aksesit ndaj saj bëhet problematik për demokracinë. Nëse vizioni teknologjik i Ramës përjashton shumë politikanë të zgjedhur nga qytetarët, sistemi politik anon rrezikshëm në favor të Partisë Socialiste.
Diella, në rolin e saj ministror, është një pasqyrë e politikave kontradiktore të regjimit të Ramës për demokracinë dhe korrupsionin. Rama është kryeministër i Shqipërisë që nga viti 2013 dhe u rizgjodh së fundmi në vitin 2025. Gjatë këtyre zgjedhjeve, me 11 maj, Rama transportoi punonjës të Partisë Socialiste në mitingje dhe vendosi mbështetës të tij në qendrat e votimit, duke krijuar një pamje mbështetjeje masive për të frikësuar votuesit opozitarë. Para zgjedhjeve, ai bllokoi TikTok-un me arsyetimin se dëmton shëndetin mendor të të rinjve, por, sipas opozitës, kjo ishte një përpjekje për të heshtur kundërshtimet. Rama shpall mbrojtjen e shtetit ligjor si prioritet,një kusht i BE-së, por shtypja e opozitës dhe qasja selektive te “foshnjat” e Diellës e minojnë këtë pretendim.
Për Ramën, mbajtja e partisë së tij përgjegjëse rrezikon humbjen e mbështetjes që i nevojitet për të ruajtur shumicën në Parlament. Ndërkohë, ai mund t’i paraqesë kritikët e Diellës si kundërshtarë të luftës kundër korrupsionit, duke i demonizuar si pengesa për modernizimin e Shqipërisë. Një fushatë propagandistike kundër korrupsionit, e mbështetur në përdorimin “revolucionar” të IA-së, i jep Ramës si mbështetjen e BE-së, ashtu edhe një fasadë të shkëlqyer për të fshehur shtypjen e kundërshtarëve. Ministria e IA-së e Diellës duket më shumë si një kapitull tjetër në historinë e korrupsionit në Shqipëri sesa si zgjidhja e tij. Ndërkohë, vëzhguesit presin të shohin se kur “foshnjat” e saj do të hedhin hapat e parë në Parlament./syri







