Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka mbajtur fjalimin e tij në protestën e opozitës përpara Kryeministrisë, duke lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe duke bërë thirrje për reagim qytetar.
Në fjalën e tij, ai theksoi se pushteti aktual, sipas tij, është i brishtë dhe mund të rrëzohet nga e vërteta. “Mjafton një shkëndijë e së vërtetës që ky pushtet prej fasade të shkrumbohet e të bjerë në tokë,” deklaroi Xhaferri.
Deputeti akuzoi qeverinë se e ka kthyer vendin në pronë private dhe se fondet publike po keqpërdoren. “Paratë tuaja nuk shkojnë për shkolla më të mira, për spitale ku gjen shërim, as për rrugë e siguri publike. Shkojnë në xhepat e një grushti personash përmes tenderave sekretë dhe koncesioneve fantazmë,” u shpreh ai.
Në vijim, Xhaferri theksoi se problemi nuk është varfëria, por korrupsioni. “Shqipëria nuk është e varfër, është e vjedhur. Nuk mund t’ia lëmë atdheun tonë atyre që e trajtojnë si plaçkë tregu,” tha ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të mos pranojnë situatën aktuale, duke theksuar se vendi ka potencial për zhvillim. “Ne kemi inteligjencën, forcën dhe arsimimin që ta bëjmë Shqipërinë të denjë për familjet tona,” deklaroi deputeti.
Xhaferri kërkoi zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke i bërë thirrje qytetarëve të mos kenë frikë. “Duhet të shembim murin e pandëshkueshmërisë dhe të ngremë një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën. Mos kini frikë nga makineria e tyre e propagandës,” përfundoi ai.







