Në vitin 2018, Miroslav Lajçak, i cili në atë kohë mbante detyrën e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë, i dërgoi Jeffrey Epstein një mesazh nga Kievi, duke shkruar ‘Përshëndetje nga Kievi. Thjesht dua ta konfirmoj se vajzat janë të mrekullueshme si gjithmonë’.
Më pas, Lajçak i dërgoi Epsteinit edhe një ‘përshëndetje nga Kievi’, bashkë me një fotografi, e cila ishte e censuruar, shkruajnë mediat sllovake.
Ky komunikim është pjesë e mbi tre milion faqe dokumentesh që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epsteinit, të cilat Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara publikoi ditën e djeshme (e premte).
Sipas mediave sllovake, emri i Lajçak, i cili ka shërbyer gjithashtu si i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, shfaqet 346 herë në këto dokumente.
Pas publikimit të emaileve të tij, Lajçak mësohet se ka dhënë dorëheqjen, të cilën kishte refuzuar ta jepte më herët kishin dalë fjalë për këto emaile, por nuk ishin bërë publike.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, njoftoi sot se do ta pranojë dorëheqjen e paraqitur nga Lajçak, por lidhur me kritikat ndaj këtij të fundit tha se prej kohësh nuk kishte parë ‘kaq shumë hipokrizi’, raporton portali Dnevnik N.
‘Miro edhe një herë ka dëshmuar se është një diplomat i shkëlqyer dhe unë e pranoj ofertën e tij për t’i dhënë fund bashkëpunimit tonë, edhe pse të gjithë ne – jo vetëm unë – po humbasim një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme. Është e çuditshme që një simbiozë e ngjashme e mediave, opozitës dhe partive qeverisëse nuk e ka shënjestruar liderin e opozitës Šimeček, i cili, përmes mashtrimeve me grante si në nivel sllovak ashtu edhe në atë të BE-së, përfaqëson një rrezik shumë më të madh për reputacionin e vendit tonë sesa këshilltari i kryeministrit, Miroslav Lajčák’, thuhet në deklaratën e Ficos.







