Ballina Kronika Dënohet me 24 vite burg Ilir Beqaraj, i akuzuar për vrasjen e...

Dënohet me 24 vite burg Ilir Beqaraj, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes

42
0

Gjykata e Tiranës dënon me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes.

Ilir Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi apo Mançellari, ka pasur rolin e ndihmësit në ngjarje. Prokuroria kërkon fajësinë e tij për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Hetimi ka provuar se Beqaraj ka mundur të largojë 4 autorët e dyshuar të vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan, ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen.

Nga analizimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë është provuar se në kohë të ndryshme ai ka lëvizur me mjetin e tij në afërsi të banesës së viktimës.

Në automjetin tip “Golf” të përdorur nga vrasësit e Bejtjes, për t’u larguar pasi kanë djegur automjetin e përdorur në krim, është gjetur profil ADN-je i Beqarajt. Profil gjenetik është gjetur edhe për Flodian Plakun, gjithashtu i arrestuar. Ndërkohë, prokuroria e Tiranës vijon hetimin për identifikimin e autorëve të krimit.

Gentian Bejtja u qëllua pranë banesës së tij në Larushk më 15 mars 2024, në një kohë që ishte në kërkim nga policia. Ai u qëllua me breshëri automatike nga katër persona. Policia Shkencore vlerësoi se nga 4 kallashnikovëve të gjetur në mjetin e djegur të autorëve, nga 3 prej tyre ishin derdhur plumba drejt 43-vjeçarit. Para ngjarjes Bejtja i kishte mbijetuar tre atentateve.