Gjykata Kushtetuese nuk arriti as dje të merrte një vendim për çështjen Balluku. Edhe pse gjyqtarët u mblodhën në dhomën e këshillimit, ata sërish dolën pa vendim, duke ngritur hije të forta dyshimi se disa prej tyre janë të paqartë (në rastin më të mirë) për një çështje që ka ngjallur interes politik, ndërkombëtar dhe publik.
Ndërsa në lojë duket se është “fati” i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pakkush arrin të shohë se e panjohura e vërtetë në këtë ekuacion është zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Në Gjykatën Kushtetuese mund të jetë në pikëpyetje fati i Ballukut, por vendimi i pritshëm mund të shuajë përgjithmonë yllin politik të Edi Ramës. Yll që pas çdo krize ka arritur të ndriçojë pikërisht nga dinamika të tilla.
Këtë herë, ylli i tij është në duart e tetë gjyqtarëve kushtetues, të cilët po përpëliten për të dhënë një vendim që duket se e dinë se si duhet të jetë, por druajnë ta hedhin në letër. Nëse ky hezitim vjen nga presioni i shtuar i Edi Ramës apo nga ndërkombëtarët që i kanë takuar dhe dërguar mesazhe anëtarëve të kësaj gjykate së fundmi, kjo nuk dihet me siguri.
Ajo që dihet qartë është se të paktën tre anëtarë të kësaj gjykate kanë qenë të gatshëm për të marrë vendim që dje. VNA mësoi se Asim Vokshi, Marsida Xhaferllari dhe Ilir Toska kanë këmbëngulur në mbledhjen e djeshme që të tetë gjyqtarët të shprehen më në fund për kërkesën e kryeministrit Edi Rama.
Të paqartët — ku përfshihen kryetarja e sapozgjedhur e gjykatës Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja (me mandat të përfunduar), për të cilën Edi Rama po “ngroh” karrigen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Sander Beci i afërt me Partinë Socialiste, Marjana Semini dhe Gent Ibrahimi, i cili mezi pret të largohet nga mbledhjet — janë pesë anëtarët që po përpëliten dukshëm dhe nuk dinë kujt t’ia prishin e kujt t’ia ndreqin.
Me gjasë, partia-mëmë dhe kryeministri i kanë vendosur në një darë të fortë presioni, mes “shkopit dhe karrotës”. Por njëkohësisht, sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë janë po aq të rëndësishëm për të ardhmen e karrigeve të tyre.
Për më tepër, kryetarja e re e kësaj gjykate, zonja Papajorgji, e ka kthyer këtë çështje në një kaos juridik dhe komunikativ duke u larguar nga procedura e rregullt, transparenca dhe njoftimi i mbledhjeve për median dhe qytetarët. Prej ditësh gazetarë presin pranë dyerve të Gjykatës Kushtetuese ku mbledhjet vijojnë dhe nuk ka asnjë njoftim zyrtar për temën apo kur pritet të ketë një vendim për një nga çështjet me interesin më të madh për publikun.
Qartësisht pa busull, pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duket se kanë humbur orientimin, me shpresën se duke fituar kohë ndoshta do të gjejnë një zgjidhje që kënaq të gjitha palët. Por kjo për fatin e tyre të keq është e praktikisht e pamundur: sido ta orientojnë busullën politike, vendimi do të lërë një palë të pakënaqur. Kjo për pjesën politike të çështjes.
Sa për gjeografinë, mirë është që 5 anëtarët pa busull ta kuptojnë se sido ta rrotullosh busullën, godina e Kryeministrisë ndodhet në lindje të Tiranës. Ndërsa drejt perëndimit janë vendosur godina të tjera që presin me vëmendje këtë vendin. E ndoshta u vinë ndërmend fjalët e Edi Ramës kur e konsideron perëndimin si busullën orientuese për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj./vna







