Forcat ushtarake kanë gjetur 110 kilogramë kokainë të pastër, të ndarë në pako nga një kilogram secila. Kjo sasi droge do t’i kishte sjellë organizatës mbi 4 milionë euro nëse do të shitej me shumicë, ndërsa në tregun e rrugës – pasi të përzihej më tej – mund të gjeneronte një xhiro afër 10 milionë euro, duke qenë se shpërndarësit shesin doza prej 0.5 gramësh me çmime që variojnë nga 40 deri në 50 euro.
Ngarkesa, e ruajtur në një garazh në Sarnico (me shumë gjasa vetëm një nga ndalesat e saj gjatë rrugës nëpër Evropë), u zbulua nga specialistët e njësisë kundër drogës (GOA) dhe të grupit hetimor për krimin e organizuar (GICO) të ‘Guardia di Finanza’ në Breshia. Kjo njësi, në vitet e fundit, ka goditur disa kanale furnizimi me drogë drejt zonave të Bergamos, Breshias dhe Milanos.
Hetimi nisi pas sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta rreth një garazhi në Sarnico. Vëzhgimi çoi në identifikimin dhe arrestimin e një 22-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili sillej si kujdestar i garazhit. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Bergamos në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë.
Rezultatet e verifikimeve të mëtejshme shtynë autoritetet të kryenin një kontroll, dhe sekuestrimi i madh konfirmoi dyshimet e mëparshme. Tani hetimet po vazhdojnë për të zbuluar origjinën e drogës dhe destinacionin e saj.
Kjo ngarkesë tregon edhe një herë, siç kanë treguar edhe hetime të tjera të fundit, se zonat e Bergamos dhe Breshias janë një nyje e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të grupeve të lidhura me mafien shqiptare, të cilat furnizojnë dhjetëra organizata kriminale në të gjithë Italinë.
Gjatë vitit të fundit, agjencitë ndërkombëtare kanë vërejtur një rritje të sasisë së kokainës që mbërrin nga Amerika e Jugut në portet e Holandës – si pasojë e vështirësive në tregun amerikan dhe për të konkurruar me drogat sintetike më të lira.
Kjo ka sjellë edhe një ulje rreth 30% të çmimit të kokainës në tregun me shumicë.
Ky zhvillim konsiderohet një alarm i ri për autoritetet italiane, të cilat mund të përballen së shpejti me një rritje të pakontrolluar të dozave të lira në rrugë./L’ECO DI BERGAMO







