Ballina Opinion Mbramë Tirana u frigue nga rrëzimi!

Mbramë Tirana u frigue nga rrëzimi!

68
0

Nga Çun Lajçi

Ajo që ndodhi mbramë në Tiranë nuk ishte zgjedhje.
Ishte kthim i pamenduem te përmbysja e shtatorës së Enverit.
Te policët me qentë që kafshonin njerëz.
Të busti që tërhiqej zvarrë sheshit dhe të Haxhi Qamili i lidhur me konop!

Ndërhymja e policisë nuk erdhi prej nevojës, por prej frikës.
Frikë prej qytetarit që flet.
Frikë prej turmës që nuk kërkon leje për me mendue.

Kur njerëzit dalin pa armë e përballen me forcë,
aty pushteti ka humbë diçka të madhe: durimin me dëgjue.

Mbramë u përballën zani dhe frika.
Dhe kur frika vishet me uniformë, ajo nuk mbron ma — ajo shtyp.

Policia nuk duhet me u përdorë si mur kundër popullit.
Sepse ajo asht pjesë e atij populli.
Dhe kur e vë përballë tij, e kthen në vegël — jo në ligj.

Kjo asht ajo që e ban të randë atë që ndodhi:
jo ndërhymja, por mesazhi që jep.
Se zani mundet me u ndalë.
Se qytetari mundet me u shty.
Se frika mundet me u imponue si rregull.

Por këto janë shenja të dobësisë, jo të forcës.
Sepse shteti që i trembet fjalës, nuk e ka ma fuqinë te ligji —
por te frika.
E kur frika bahet mjet qeverisjeje, ajo nuk zgjat — por lëndon thellë.
Mbramë nuk u rrëzu askush. Por u thellue nji hendek që nuk mbyllet lehtë:
ai mes qytetarit dhe shtetit të vet.