Ballina Europë Dy vëllezër shqiptarë filmonin fshehurazi gratë dhe vajzat dhe i postonin në...

Dy vëllezër shqiptarë filmonin fshehurazi gratë dhe vajzat dhe i postonin në rrjetet sociale

44
0

Dy vëllezër shqiptarë shfrytëzonin fotot dhe videot që u bënin grave dhe vajzave në fshehtësi për të fituar para nga rrjetet sociale si YouTube, Facebook, Instagram dhe TikTok.

Florian dhe Roland Reka, me origjinë shqiptare dhe banues në Suedi, kanë postuar qindra video të vajzave dhe grave, të cilat më pas i publikonin në rrjetet sociale.

Ky skandal u zbulua pas një investigimi të bërë nga BBC në disa prej kryeqyteteve të botës.

Videot paraqiteshin si “walking tours” apo “nightlife content”, por në fakt fokusoheshin thuajse ekskluzivisht te gratë me fustane ose funde, shpesh të filmuara nga kënde shumë të ulëta ose nga pas, duke ekspozuar pa pëlqim pjesë intime të trupit.

Florjan Reka djathatas, Roland Reka majtas 

BBC identifikoi mbi 65 kanale online të këtij lloji, me një total prej më shumë se 3 miliardë shikimesh në tre vitet e fundit.

Pamjet janë filmuar kryesisht në qytete si Londra, Oslo, Miami dhe Bangkok, por një nga qendrat kryesore rezulton Manchesteri.

Në investigimin e bërë nga BBC rezulton se Florian Reka dhe vëllai i tij, Rolandi, filmonin gra nga kënde të ulëta, ndërsa mbanin kamerën në lartësinë e belit, duke u shtirur sikur shihnin telefonin.

Sipas BBC, Reka drejton një nga kanalet më të mëdha të këtij lloji në YouTube, me rreth 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë.

Ai ka gjithashtu një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës.

Kanali i tij është regjistruar si biznes në Suedi, me aktivitet zyrtar “influencer, marketing dhe reklamë”.

Pas kontaktit të BBC-së, YouTube mbylli dy llogari të lidhura me Florian Rekën, por disa video të ngjashme mbeten ende aktive në platforma të tjera. Reka nuk pranoi të komentonte për BBC dhe shmangu takimet me ekipin investigativ, edhe kur ata udhëtuan në Suedi.

Një prej grave të filmuara, e identifikuar me emrin e ndryshuar “Grace”, zbuloi vetëm nga BBC se pamjet e saj të filmuara nga poshtë fustanit kishin marrë mbi 3 milionë shikime. “Që atëherë ndihem paranojake sa herë dal nga shtëpia,” tha ajo.

Gjithashtu, në dokumentarin e bërë publik nga BBC dalin edhe dëshmi të qindra grave të tjera, të cilat janë shfrytëzuar pavetëdije nga vëllezërit shqiptarë dhe të ngjashmit e tyre në disa kryeqytete të botës.