Vështirësitë me të cilat po përballet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nuk lidhen më vetëm me ankimimet e shumta të tenderëve për sistemet e IT-së dhe mirëmbajtjen e tyre, siç ishte rasti i fundit me platformën SelfCare, por po prodhojnë një efekt zinxhir që po godet drejtpërdrejt funksionimin e institucioneve të tjera shtetërore.
Situata e pazakontë në institucionin që shërben si infrastruktura dhe “truri” digjital i të gjithë aparatit shtetëror është përkeqësuar edhe më tej nga zhvillimet e fundit, përfshirë hetimet penale të nisura nga SPAK, duke krijuar një ngërç institucional që po reflektohet në të gjithë administratën publike.
Bllokim për shkak të një hallke kyçe: katalogu i çmimeve reference
Burime të Ekofin bëjnë me dije se, për një arsye që në pamje të parë mund të duket teknike apo dytësore, por që në praktikë ka pasoja të rënda, mospublikimi i katalogut të përditësuar me çmimet reference për pajisjet kompjuterike, po pengon të paktën tre institucione shtetërore të zhvillojnë procedurat e prokurimit për pajisje bazë pune.
Bëhet fjalë për pajisje të rëndësishme të teknologjisë së informacionit, si routera, modema, kompjutera, printera dhe pajisje të tjera IT, të domosdoshme për funksionimin minimal të institucioneve, të cilat aktualisht ndodhen në gjendje emergjence dhe në pamundësi për të operuar normalisht.
Në mungesë të katalogut të përditësuar nga AKSHI për vitin 2026, kërkesat e institucioneve për prokurime mbeten në sirtar, pasi mungon bazë për të përcaktuar fondet limite dhe për të çelur procedurat e prokurimit, duke i lënë praktikisht të paralizuara.
Afatet kanë kaluar, por katalogu mungon ende
Edhe pse ka kaluar muaji i parë i vitit 2026 dhe po mbyllet java e parë e shkurtit, katalogu i përditësuar i çmimeve reference nuk është ende i publikuar në faqen zyrtare të AKSHI-t, një vonesë që po shton presionin mbi institucionet e tjera dhe po krijon reagime zinxhir në administratë.
Në kushtet kur shumë institucione funksionojnë mbi sisteme të amortizuara dhe pajisje të vjetruara, mungesa e këtij dokumenti bazë po e thellon edhe më shumë krizën operacionale.
Nga problem teknik në risk institucional
Ajo që nisi si problem me ankimimet e tenderëve të mirëmbajtjes dhe kulmoi me dështimin e funksionimit të platformës SelfCare, tashmë po shndërrohet në një risk institucional me ndikim horizontal, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e shtetit për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve digjitale dhe administrative.
Në praktikë, çdo vonesë apo bllokim në AKSHI transmetohet menjëherë në dhjetëra institucione të tjera, për shkak të rolit qendror që ky institucion ka në menaxhimin e sistemeve, infrastrukturës dhe standardeve digjitale të administratës publike.
Nëse situata vijon pa zgjidhje, burime pranë institucioneve të prekura paralajmërojnë se vonesat mund të përkthehen në ndërprerje shërbimesh, rritje të kostove emergjente dhe thellim të mosbesimit ndaj funksionimit të shtetit digjital./ekofin.al







