Nga Elton Qyno
Teksa ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Posaçme, Henrik Hoxhaj, fliste para gjyqtarëve për planin kriminal që kishin bërë me Nuredin Dumanin më 2020, për të vrarë kundrejt 200 mijë eurove Sokol Sanxhaktarin, ky i fundit nga burgu i Reçit ku vuan dënimin, ka kërkuar në gjykatën e Shkodrës, për të dalë nga qelia.
Sokol Sanxhaktari, përmes një kërkese të depozituar më 25 nëntor 2025 pranë sekretarisë së Gjykatës së Shkodrës, ka kërkuar që dënimin e mbetur të mos e vuajë në ambientet e burgut por këtë pjesë të vijojë ta vuajë në ambientet shtëpiake.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se kërkesa e Sanxhaktarit është marrë në shqyrtim nga gjyqtari, Eni Naqellari dhe më konkretisht në objektin e kërkesës thuhet se:
“…ndërprerja e vuajtjes së dënimit në ambientet e burgut të dhënë në bazë të vendimit gjyqësor penal nr.175 datë 16 Mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Elbasan, i ndryshuar nga vendimi gjyqësor penal nr.253 datë 28 shtator 2022 i Gjykatës së Apelit Durrës, duke u zëvendësuar me vuajtjen e dënimit penal alternativ “Qëndrim në shtëpi” për pjesën e mbetur të dënimit…”.
Sokol Sanxhaktari, është dënuar me 15 vite burgim për vrasjen e shokut të tij, Florian Lamçe alias Shkodrani. Ai pretendon se ka kryer në burg më shumë se ¾ e dënimit të dhënë nga gjykata, duke kërkuar që pjesën tjetër të vuajtjes së dënimit të qëndrojë në shtëpi.
Kujtojmë se në muajin Mars 2025, gjykata e Shkodrës i pranoi Sanxhaktarit një kërkesë për uljen e dënimin me 90 ditë burgim. Ndërkohë disa muaj më vonë atij ju rrëzua nga gjykata një kërkesë për lirimi me kusht nga qelia.
Tashmë prej nëntorit 2025, e në vijim në gjykatën e Shkodrës është duke u zhvilluar një proces gjyqësor që lidhet me objektin e padisë për ndërprerjen e vuajtjes së dënimit në ambientet e burgut dhe vuajtjen e dënimit të mbetur në ambientet e shtëpisë.
Sanxhaktari, është dhëndri i ish-kryetarit të bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili ka ndërruar jetë disa vite më parë. Sanxhaktari më 30 korrik 2020 së bashku me një person tjetër Adriano Hajdari nga Elbasani, ekzekutoi në Elbasan, me sende të forta shokun e tij, Florian Lamçe.
Sipas të dhënave të policisë, në atë kohë viktima ishte konfliktuar me Adriano Hajdarin, dhe Sokol Sanxhaktarin, teksa së bashku kishin konsumuar alkool.
Sanxhaktari dhe Hajdari, e qëlluan me shishe dhe mjete të forta, dhe plagët i morën jetën 40-vjeçarit. Viktima, Florian Lamçe, i njohur edhe me nofkën “Flor Qorri”, ka qenë më parë i dënuar me 3 vite burg për pengim të drejtësisë dhe i hetuar për dy plagosje.
Ai ishte vëllai i Olti Lamçes, ky i fundit i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit, pronar i një diskoje, ngjarje e vitit 2012.







