Ballina Kronika Vrasja e 61-vjeçarit në Bulqizë, gjykata lë në burg nënë e bir:...

Vrasja e 61-vjeçarit në Bulqizë, gjykata lë në burg nënë e bir: “E sulmoi ariu, më pas qëlloi veten me pistoletë”

107
0

Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Sadete dhe Gazmir Fikun, nënë e bir, të dyshuar për vrasjen e Urim Fikut, përkatësisht bashkëshortit dhe babait të tyre. Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 nëntor në fshatin Godvi të Bulqizës.

Gjatë seancës gjyqësore, të dy të arrestuarit kanë mohuar përfshirjen në krim, duke këmbëngulur në versionin se 61-vjeçari ishte sulmuar nga një ari në pyll.

Sipas deklarimeve të tyre, Urim Fiku ishte kthyer në banesë i gjakosur dhe me dëmtime të rënda në trup, pas sulmit të pretenduar nga kafsha e egër. Ata kanë pohuar se 61-vjeçari, pasi kishte hyrë në shtëpi, kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten në gjoks.

Bashkëshortja, Sadete Fiku, ka deklaruar se kishte njoftuar ambulancën, ndërsa i biri, Gazmir Fiku, ka pretenduar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në punë pranë OSHEE-së në Bulqizë.

Nënë e bir kanë pohuar gjithashtu se viktima shkonte në pyll për të vendosur kurthe për kapjen e kafshëve të egra, kryesisht derrave.

Megjithatë, versioni i tyre bie ndesh me dyshimet e ngritura nga hetuesit. Nga ekzaminimet mjekoligjore është konstatuar se 61-vjeçari kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa policia dyshon se ai është goditur edhe me mjete të forta prerëse.

Gjatë hetimeve është sekuestruar një pistoletë e modelit 54, së bashku me municion, si dhe një gëzhojë e gjetur në oborrin e banesës.

Për zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes priten rezultatet e mëtejshme të ekspertimeve kriminalistike dhe mjekoligjore, të cilat do të ndihmojnë në përcaktimin e dinamikës së ngjarjes.

Në përfundim të seancës, gjykata vendosi që Sadete dhe Gazmir Fiku të qëndrojnë në burg gjatë hetimeve, ndërsa të dy vijojnë të mohojnë akuzat për vrasjen e familjarit të tyre.