Ballina Rajoni ​Mihajlloviç urdhëroi të heshten dështimet e kontraktorëve kinezë, skandali i hekurudhës në...

​Mihajlloviç urdhëroi të heshten dështimet e kontraktorëve kinezë, skandali i hekurudhës në Serbi

35
0

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e atëhershme e Ndërtimit, Infrastrukturës dhe Transportit të Serbisë, Zorana Mihajlloviq, kishte urdhëruar me shkrim anëtarët e delegacionit shtetëror që gjatë vizitave zyrtare në Kinë të mos kritikojnë kontraktorët kinezë, pavarësisht dështimeve serioze në ndërtimin e hekurudhës Beograd–Stara Pazova, zbulon hulumtimi i publikuar nga Radar.

Sipas dokumenteve të siguruara, më 5 shkurt 2019 Mihajlloviq u kishte dërguar bashkëpunëtorëve të saj një email, ku theksonte se prioritet nuk ishte kritika ndaj kompanive kineze CRIC dhe CCCC, por sigurimi i një kredie të re për ndërtimin e segmentit Novi Sad–Suboticë. Në email ajo theksonte se “nuk është në interes të delegacionit të shkojë në Kinë për të kritikuar kontraktorët”.

Delegacioni serb, sipas korrespondencës së brendshme, ishte fokusuar kryesisht në negociimin e kredive të reja me institucionet financiare kineze, përfshirë Bankën Exim, për projekte hekurudhore dhe autostrada, ndërsa problemet serioze teknike në terren u lanë jashtë diskutimit.

Pasojat e këtij qëndrimi u bënë të dukshme në vitin 2020, kur Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë konstatoi një sërë defektesh serioze në hekurudhën Beograd–Stara Pazova. Raporte të brendshme, të përmendura nga Radar, flasin për ndërtim jashtë projektit, mungesë kontrolli dhe parregullsi që, sipas ekspertëve, rrezikonin drejtpërdrejt sigurinë e pasagjerëve.

Në mars të vitit 2025, ekspertët e Infrastrukturës Hekurudhore evidentuan sërish defekte të shumta në të njëjtin segment, tri vjet pas hapjes zyrtare të hekurudhës. Në raport thuhet se disa prej mangësive “duhet të hiqen urgjentisht, pasi rrezikojnë jetën e pasagjerëve”.

Megjithëse Mihajlloviq sot pretendon se shteti ka vepruar “seriozisht dhe me përgjegjësi”, dokumentet dhe raportet zyrtare tregojnë se kontraktorët kinezë dhe rusë nuk u përballën me pasoja reale, ndërsa shteti serb, në disa raste, madje pagoi penalitete për kredi të papërdorura, shkruan Novo.rs.

Sipas Radar, rasti dëshmon një model sistemik ku interesat financiare dhe kreditë ndërkombëtare u vendosën mbi sigurinë, transparencën dhe llogaridhënien, me pasoja që vazhdojnë të dalin në pah edhe sot.