Spanja ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në botën e mjekësisë. Në Spitalin Universitar Vall d’Hebron në Barcelonë, një ekip prej rreth 100 profesionistësh realizoi transplantin e parë të fytyrës në botë me inde të dhuruara nga një donatore që kishte zgjedhur vdekjen asistuar – një procedurë e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021.
Operacioni u krye tek një paciente që kishte pësuar dëmtime të rënda në fytyrë si pasojë e një infeksioni, duke dëmtuar funksione jetësore si frymëmarrja, ushqyerja dhe të folurit. Falë këtij transplantimi, pacientja ka mundur të rindërtojë pjesërisht fytyrën dhe të nisë rikuperimin funksional.
Donatorja kishte dhënë më parë pëlqimin për të dhuruar indet pas procedurës së vdekjes asistuar. Ky pëlqim i mundësoi ekipit mjekësor të përgatitej me kujdes për ndërhyrjen komplekse, përfshirë përputhjen e indeve dhe përgatitjen e saktë të tyre.
Dr. Joan Pere Barret, drejtuesi i Shërbimit të Kirurgjisë Plastike dhe Djegieve në Vall d’Hebron, tha se ky lloj transplantimi kërkon përgatitje të hollësishme dhe kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës, pasi përfshin lëkurë, muskuj, nerva dhe struktura kockore, si dhe përdorimin e medikamenteve për të parandaluar refuzimin e indeve.
Spitali theksoi se gjithçka u krye sipas protokolleve të rrepta etike dhe ligjore, dhe falënderoi donatoren dhe familjen e saj për bujarinë që mundësoi këtë arritje historike.







