Nga Desada Metaj
Gjatë takimit 7 orësh në Kryeministri mes Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, së cilës sapo i ishte komunikuar vendimi i pezullimit nga detyra nga SPAK dhe GJKKO, u thirr – me sa duket si “i besuari” për çështjet e drejtësisë – vetë Ulsi Manja. Nuk dihet çfarë këshille ka dhënë Manja në atë dhomë të mbyllur. Por fakt mbetet se Rama doli prej andej për të darkuar me Marta Kos, i qartë në vendimin e tij: të godistehaptaz drejtësinë.
Hapi i parë ishte çuarja e përplasjes në Gjykatë Kushtetuese. Një lëvizje që, pavarësisht përpjekjes për t’u veshur me petkun e respektimit të binarëve zyrtarë dhe apolitikë, në thelb shënonte një fazë krejtësisht të re. Një fazë që e çlironte Ramën nga hipokrizia e deriatëhershme për “mbrojtjen e drejtësisë”, për respektimin dhe mbështetjen e PS si “garanci e reformës së re”, për retorikën e konsumuar të besimit institucional. Shumica prej nesh e kemi ditur se këto kanë qenë thjesht broçkulla hipokrizie politike, të prodhuara nga sikleti i thellë në të cilin Rama zhytej përherë e më shumëpërballë drejtësisë. Tashmë e flaku përtej edhe këtë maskë.
Mesa duket, pavarësisht se si do të përfundojë kjo përplasje në Gjykatën Kushtetuese, ajo është një betejë e vogël dhe pa dobi të drejtpërdrejtë për Ramën dhe njerëzit e tij. Sepse është, në thelb, një betejë e Ramës por që zhvillohet në “fushë të huaj”, në territorin e vetë drejtësisë. Si e tillë, ajo mbart rreziqe, pasiguri dhe porcione me mungesë kontrolli. Mjafton të shihet zvarritja e vetë Gjykatës Kushtetuese, pas nxitimit dhe urgjencës fillestare, në dhënien e një vendimi final për çështjen. Me shumë gjasë, ajo gjykatë ende nuk i jep Ramës sigurinë përtej çdo dyshimi që ai kërkon. Kjo rrugë, pra, nuk ofron garanci solide e afatgjata.
As inkursionet e Xhafajt, që dërgon deputetët e mazhorancës në gjykata e prokurori për t’i “monitoruar”, nuk përbëjnë ndonjë strategji efektive. Qëllimi nuk fshihet, por metoda është e dobët. Përgjigjja kundërshtuese e prerë e SPAK ndaj kësaj përpjekjeje kontrolluese ka shtuar nervozizmin në radhët e mazhorancës, sepse tregoi qartë se drejtësia nuk po trembet.
Ndaj, hapi i radhës i Ramës duket se është zhvendosja e betejës në fushën e tij natyrore: në Kuvend. Me 83 mandate ose më shumë, ai ka një siguri të ftohtë politike: rruga më e shpejtë, më efikase dhe më konkrete është ndryshimi i ligjeve të drejtësisë. saktësisht duke i vendosur “vijën e kuqe” sistemit të drejtësisë ndaj të qeverisë.
Për këtë fazë të re dhe më të avancuar të përplasjes, Rama zgjodhi sërish Ulsi Manjën. Nga studioja e Top Channel, Manja ua bëri të qartë prokurorëve dhe gjyqtarëve mesazhin: “zgjohuni, sepse jemi ende larg drejtësisë cilësore që presin shqiptarët”. Ata, sipas tij, duhet “të largohen nga roli i noterit dhe të ngrihen në lartësinë që u ngarkon Kushtetuta”.
Kjo tingëllon si paralajmërimi i fundit përpara një ndërhyrjeje finale. Ishte e qartë për këdo se ajo që Manja u përpoq ta kamuflonte – aq sa mundi dhe aq sa di – ishte thelbësisht e thjeshtë: ndërhyrjet ligjore në sistemin e drejtësisë janë ngjarje tashmë pothuajse të sigurta dhe të afërta.
Si i patrajnuar në këto momente delikate, Manja harroi të thoshte “fjalinë magjike” që Rama artikuloi në fjalimin e tij më 11 shtator në Asamblenë e PS-së, kur deklaronte se:“Bebja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pistë, thotë një fjalë e mençur e fqinjëve tanë matanë Adriatikut, dhe në këtë rast duhet durim heroik dhe kujdes prej okulisti që uji i pistë të pastrohet ngadalë dhe nga vetë institucionet e vetëqeverisjes së gjyqësorit në radhë të parë, sepse pastrimi i atij uji të pistë është pjesë e misionit të tyre publik e ligjor. Pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja, por ka edhe një ‘por’ tjetër, sepse asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë, sado i nevojshëm të duket këtu për ne, nuk ka për të ndodhur me votat tona pa marrë dritën jeshile nga KE.”
Por durimi duket se ka sosur. Nëse gjyqtarët dhe prokurorët “nuk i vënë gishtin kokës”, atëherë koka do t’u pritet dhe dhëmbët do t’iu shkulen. Jo metaforikisht, por përmes ligjeve të miratuara në Kuvend.
Në fakt, në pozitat e rënduara ku ndodhet sot përballë sistemit të drejtësisë, Rama nuk ka shumë zgjidhje. Kjo është e vetmja kartë që i ka mbetur. Lufta e tij e deritanishme me drejtësinë e ka nxjerrë më tepër të vogël dhe të pafuqishëm sesa dominues. Një kryeministër që ankohet për Shqipërinë si vendi me më shumë të paraburgosur sesa të dënuar – statistikë që në fakt, nuk flet për dështim të drejtësisë, por për suksesin e saj. Një kryeministër që edhe kur shkoi në Paris kërkoikëshilla se si të ndryshojë nenin e shpërdorimit të detyrës në Kodin Penal. Një kryeministër që “përgjon” me bukë në trastë Gjykatën Kushtetuese për t’iu kundërvënë kërkesës kushtetuese për pagat e magjistratëve. Një njeri që ka kaluar nga sundimtari absolut i gjyqtarëve para vetingut, në politikanin që i përplaset në fytyrë reagimi i fortë i shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e rrëzuar nga piedestali i madhështisë që kishte ndërtuar në sytë e publikut. Një kryeministër që tani zvarritet të “shpëtojë me procedurë” zëvendësen e vet nga kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit.
Forca e vetme reale pra që i ka mbetur janë ato 83 mandate. Aty mund të gjejë duke u ngrefosur edhe justifikimin formal të “mandatit të dhënë prej popullit”. Aty ka të garantuar edhe konsentin e Berishës. Jo rastësisht, zëra analistësh pranë opozitës së Berishës kanë përforcuar goditjen fort të tezës së“dështimit të drejtësisë”. Nuk ishte koincidencë që, paralelisht me kumtin e Manjës, në studio të tjera televizive u shfaqën këto zëra në një sinkronizim të përsosur: pothuajse unanimisht u artikulua narrativa e dështimit të reformës, e kamufluar pas rritjes së numrit të dosjeve në gjykatat e zakonshme. Ndërkohë, të gjithë e dinë se “lepuri i frikës” fshihettjetërkund, tek SPAK dhe GJKKO.
Me shumë gjasë pra, tani Rama do të thërrasë fort në ndihmë tezën se Shqipëria është republikë parlamentare dhe se mazhoranca e tij është e mandatuar të ndërmarrë çdo nismë kundër asaj që ai e quan “republika e prokurorëve”. Historia e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe zvarritja e imunitetit të Ballukut ne Kuvend, janë asgjë ndaj asaj cfarë nuk kemi parë akoma: ndryshime në korpusin e reformës së drejtësisë, që synojnë pikërisht atë që Manja e tha prerë nga studioja e Top Channel: “Vëreni gishtin mendjes, sepse do të ndërhyjmë në sistem”.
Sigurisht, pa dritën jeshile të Europës dhe Amerikës. Të paktën këta të fundit, tashmë, janë paralajmëruar nga Ulsiu.







