Ballina Editorial Cunami i heshtur: Pse “demokratët e padukshëm” janë rreziku real për lidershipin...

Cunami i heshtur: Pse “demokratët e padukshëm” janë rreziku real për lidershipin e PD-së

58
0

Nga Alban Daci 

Në sipërfaqen e trazuar të Partisë Demokratike, debati publik duket se është burgosur brenda një rrethi të ngushtë: mes një lidershipi që kërkon me çdo kusht mbijetesën dhe një grupi zhurmues që reagon në rrjete sociale apo studio televizive.

Mirëpo, ky perceptim është sa sipërfaqësor, aq edhe i rremë. Poshtë kësaj zhurme artificiale, po rritet një forcë shumë më e madhe, më e artikuluar dhe, mbi të gjitha, më e rrezikshme për statuskuonë aktuale: vala e “demokratit të padukshëm”.

​Kjo është masa e gjerë e të pakënaqurve që nuk gjenden më në zyrat e partisë dhe as në rreshtat e parë të militancës. Aty bëjnë pjesë figura që dikur ishin shtylla intelektuale dhe organizative të PD-së, por që u larguan, u mënjanuan ose thjesht zgjodhën të mos bëhen dekor i një dekadence politike. Por, pjesa më jetike e kësaj vale janë mijëra votues që, për shkak të konjukturave mbytëse, klanizmit dhe mungesës së meritokracisë, nuk kanë pasur kurrë mundësinë të jenë pjesë e strukturave vendimmarrëse, ndonëse kanë mbetur besnikë të palëkundur të ideologjisë së djathtë.

​Diferenca mes kësaj mase dhe atyre që reagojnë publikisht është thelbësore. Ndërsa reagimi publik shpesh mund të shihet si pjesë e lojës për pushtet brenda llojit, kjo “valë e heshtur” përfaqëson një shkëputje shpirtërore dhe morale me mënyrën se si po drejtohet sot forca e tyre politike.

Këta nuk janë njerëz që kërkojnë poste apo vëmendje; ata janë njerëz që kërkojnë dinjitet dhe një projekt fitues. Ndryshe nga ata që kanë zgjedhur konformizmin për interesa të ngushta personale—për një vend të sigurt në listë, për një rrogë në administratën e partisë apo për hir të një karriere boshe—këta demokratë nuk kanë asgjë për të humbur. Ky fakt i bën ata kundërshtarët më të fortë të lidershipit aktual, sepse vota dhe mbështetja e tyre nuk është e negociueshme dhe as e ndikueshme nga retorika e ditës.

​Shumë nga këta demokratë të vërtetë kanë zgjedhur të heshtin me një indiferentizëm që peshon më shumë se çdo protestë. Por, ky indiferentizëm nuk duhet lexuar kurrsesi si shenjë dorëzimi, si lodhje apo si pranim i humbjes. Përkundrazi, kjo heshtje ngjan me një cunam që po mblidhet në thellësitë e oqeanit.

Në dukje, sipërfaqja është e qetë, por poshtë saj po akumulohet një energji e frikshme. Ajo pret vetëm “tërmetin” e radhës në themelet e partisë—atë momentin e vërtetë të llogaridhënies—që vala të ngrihet në lartësi të frikshme, duke pastruar apo marrë me vete çdo gjë që gjen përpara: fasadat, servilizmin dhe strukturat e ngritura mbi rërë.

​Numrat e atyre që po heshtin në raport me ata që reagojnë apo që bërtasin “bravo” nëpër mbledhje, janë jashtëzakonisht të mëdhenj. Ky është një raport asimetrik që lidershipi aktual po e injoron në mënyrë vetëvrasëse. Ata që heshtin po vëzhgojnë me ftohtësi se si interesi i ngushtë i një rrethi të vogël po prevalon mbi nevojën emergjente për një alternativë kombëtare. Ata shohin se si partia po shndërrohet në një bunker mbrojtës në vend që të jetë një platformë lirie.

​Nëse ka diçka më dëmtuese për opozitën sesa sulmet e kundërshtarit politik apo makineria shtetërore, është pikërisht kjo tërheqje e heshtur e bazës së saj intelektuale dhe qytetare. Ata janë garda e vërtetë që refuzon të bëhet pjesë e një rrethi vicioz dështimesh të përsëritura. Për ta, e djathta është shumë më tepër se një logo, shumë më tepër se një godinë dhe pafundësisht më shumë se një individ i vetëm.

​Sot, lidershipi i PD-së ndodhet përballë një paradoksi historik: ai ka nevojë jetike pikërisht për ata që ka larguar, që ka anashkaluar ose që i ka bërë të ndihen si të huaj në shtëpinë e tyre. Nëse kjo valë e madhe kundërshtuese nuk dëgjohet, nëse mendimi i tyre ndryshe etiketohet si tradhti dhe nëse heshtja e tyre keqinterpretohet si nënshtrim apo miratim, goditja që do të vijë do të jetë fortë.

​Nuk do të jetë thjesht fundi i një lidershipi apo i një cikli politik, por rreziku i asgjësimit të një historie të tërë politike. Sepse nuk ka opozitë më të fortë, më të pamëshirshme dhe më të pakthyeshme sesa ajo që lind nga zhgënjimi i thellë i njerëzve të tu.

Kur “të mbeturit jashtë” dhe “të harruarit” të vendosin të flasin me forcën e votës dhe të refuzimit, ata do të jenë forca e vetme dhe e pakontrollueshme që do të vendosë nëse do të ketë më një të djathtë në Shqipëri apo nëse gjithçka do të fshihet nga cunami i mbledhur prej viteve të neglizhencës.