Ballina Politika ‘4 Shkurti, konflikti i brendshëm shqiptar’, Tare: Propaganda komuniste rrëzohet nga dokumentet...

‘4 Shkurti, konflikti i brendshëm shqiptar’, Tare: Propaganda komuniste rrëzohet nga dokumentet arkivore

33
0

Ngjarja e 4 shkurtit 1944, e njohur në kujtesën historike si një nga masakrat më të errëta në Tiranë, vazhdon të jetë objekt debatesh të forta. Megjithatë, një analizë e re e fakteve dhe dokumenteve historike, e mbështetur në dëshmi të protagonistëve, hedh dritë mbi një version të ndryshëm nga ai i propaganduar për dekada nga regjimi komunist.

Studiuesi Auron Tare, në Syri tv tha se ngjarja e 4 shkurtit nuk ishte një operacion i forcave gjermane, siç është pretenduar historikisht.

Dokumentet e kohës, përfshirë ato gjermane të publikuara nga studiuesi Maringlen Kasmi, si dhe dëshmitë e protagonistëve të drejtpërdrejtë si Xhafer Deva dhe Kadri Cakrani, tregojnë se bëhej fjalë për një përplasje të armatosur mes dy grupimeve rivale shqiptare.

Ky këndvështrim e zhvendos përgjegjësinë nga forcat pushtuese gjermane, duke e paraqitur ngjarjen si një kapitull tragjik të konfliktit të brendshëm shqiptar, pa një përfshirje të drejtpërdrejtë të ushtrisë gjermane.

Një nga pikat më të diskutuara mbetet numri i viktimave. Shifra 84, sipas Tares, e cila është gdhendur në imagjinatën kolektive, duket se nuk gjen mbështetje në dokumentet arkivore.

Burimi i kësaj shifre është një artikull i botuar në gazetën “Bashkimi” në vitin 1946. Pavarësisht se ky numër u bë zyrtar dhe u përdor gjerësisht nga propaganda, deri më sot nuk ekziston një listë e plotë emërore që të vërtetojë 84 viktima.

Mospërputhja mes numrit të pretenduar dhe provave dokumentare e bën të vështirë konfirmimin e këtij versioni, duke e lënë atë në kufijtë e një miti politik.

Ky rishikim historik nxjerr në pah jo vetëm kompleksitetin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por edhe mënyrën se si historia është përdorur për qëllime politike.

Deklarata e plotë:

“Ngjarje me këto përmasa, sigurisht janë të debatueshme. Jo vetëm tek ne, po dhe në vende të tjera.

Ka këndvështrime të ndryshme, por mendoj unë, tashmë distanca e mjaftueshme kohore, ëh, nga ngjarje të tilla, na lejon që t’i shikojmë ato me, me shumë ftohtësi dhe bazuar në dëshmi.

Dhe ngjarja e 4 shkurtit, në mendimin tim, është e mirë-dokumentuar, sepse ka dokumenta të kohës, pra të shtetit të asaj kohe, ka dhe dëshmi të dëshmitarëve dhe të protagonistëve, të cilët në një kohë mbas ngjarjes, kanë shkruar apo kanë dëshmuar, ëh, për këtë gjë. Dhe mendoj që është një nga ngjarjet që nuk kishte pse të kishte më debat, sepse është një ngjarje e cila ka ndodhur.

Por interesanet ka qenë fakti që mbas ’45-ës, kjo ngjarje i është veshur gjithmonë gjermanëve, me bashkëpunimin e trupave, bashkëpunuese, pra kolaboracioniste.

Ndërkohë, sipas dokumentacionit të kohës, sipas dokumentave gjermane, të cilat i ka botuar edhe studiuesi Maringlen Kasmi, por dhe sipas dëshmive të protagonistëve, të cilët janë Kadri Cakrani, Xhafer Deva, apo njerëz përqark tyre, bëhet e qartë mjaft mirë që ky ka qenë një përplasje midis dy grupimeve, ëh, shqiptare, pa përfshirjen direkt të forcave gjermane në, në Tiranë.

Nga, nga dokumentat në arkiv del që nuk ka emra për 84 vetë, ka shumë më pak dhe gjithmonë ka qenë një debat mbi listen, ka pasur disa numra.

Ajo që ka ngelur te 84-a pra, është një artikull I botuar diku në ’46-ën, në gazetën Bashkimi të kohës, e cila e sillte numrin 84 dhe ai numër mbeti.

Por ky numër nuk ka qenë i mbështetur, apo deri më sot nuk është i mbështetu me një listë emrash të të pushkatuarve, apo të humburve gjatë asaj nate. Dhe për këtë arsye është e vështirë që ende sot t’i mbetemi këtij numri, sepse nuk na përputhet me dokumentat e kohës”.