Futbolli francez është zhytur në zi pas një ngjarjeje tragjike që ka tronditur opinionin sportiv.
Rafael Juan, futbollist 16-vjeçar i FC Alpilles, ka ndërruar jetë të enjten, një ditë pasi pësoi një arrest kardiak gjatë një ndeshjeje zyrtare për Kupën U-19 të Grand Vaucluse, e zhvilluar në Villeneuve-Lès-Avignon.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur i riu u ndie keq papritur dhe u rrëzua në fushë, duke shkaktuar panik mes lojtarëve, stafit dhe tifozëve të pranishëm.
Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje, përpara se Rafael Juan të transportohej me urgjencë në spital. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, ai nuk ia doli të mbijetonte dhe ndërroi jetë pasditen e së enjtes.
Presidenti i FC Alpilles shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e lojtarit të ri, duke deklaruar për radion ‘France Bleu’ se kjo është një dramë e madhe për klubin dhe për familjen e tij.
Ai theksoi se Rafaeli ishte pjesë e klubit prej rreth dhjetë vitesh dhe se konsiderohej si “një bir” për të gjithë.
Sipas tij, i riu nuk kishte shfaqur asnjë problem shëndetësor më parë, çka e bën tragjedinë edhe më të pashpjegueshme.
Pas kësaj ngjarjeje, FC Alpilles ka vendosur të anulojë të gjitha ndeshjet e planifikuara për fundjavën, në çdo kategori, si dhe ka njoftuar krijimin e një njësie mbështetjeje psikologjike për lojtarët dhe stafin. Ndërkohë, Shoqata e Futbollit të Grand Vaucluse ka shtyrë të gjitha ndeshjet e Kupës U-19 të parashikuara për të shtunën, ndërsa në të gjitha fushat e tjera do të mbahet një minutë heshtje në nderim të Rafael Juan.







