Nëse ju vjen një mesazh nga një mik i njohur, me të cilin keni pasur biseda të mëparshme, dhe ju kërkohet ndihmë për një “konkurs” apo “votim”, duhet të tregoni kujdes të shtuar.
Në shumicën e rasteve, nuk bëhet fjalë për mikun tuaj, por për një haker që ka marrë ose po tenton të marrë kontrollin e profilit të tij. Skema funksionon duke shfrytëzuar faktin që mesazhi vjen nga një kontakt i besuar dhe nga një bisedë ekzistuese, çka e ul vigjilencën e marrësit.
Sipas ekspertëve të sigurisë kibernetike, mashtruesi sillet dhe shkruan si miku juaj, duke u referuar bisedave të mëparshme dhe duke ju kërkuar një “ndihmë të vogël”, zakonisht të lidhur me një konkurs apo votim online. Në realitet, ajo që kërkohet është kodi i verifikimit për rivendosjen e fjalëkalimit të llogarisë në rrjetet sociale.
Kodi 6 ose 8-shifror që ju vjen me mesazh është, në fakt, çelësi që i jep akses mashtruesit për të marrë kontrollin e plotë të llogarisë. Ekspertët apelojnë që këto kode të mos shpërndahen në asnjë rast, pavarësisht se kush i kërkon.
Më të rrezikuarit nga ky lloj mashtrimi janë moshat e treta, për shkak të mungesës së informacionit teknik dhe besimit më të lartë ndaj personit që u shkruan. Sipas specialistëve, një pjesë e madhe e këtyre sulmeve vijnë nga vende të Azisë dhe Afrikës, ku përdorimi i llogarive false dhe skemat e mashtrimit online janë më të përhapura.
Ekspertët këshillojnë qytetarët të tregojnë vigjilencë maksimale, pasi një klikim i gabuar ose dërgimi i një kodi pa u menduar mund të sjellë humbjen e llogarisë, aksesin në të dhënat personale dhe përdorimin e tyre për mashtrime të mëtejshme.








